Në Spitalin e Gjilanit janë duke u trajtuar me oksigjen 32 pacientë me COVID-19

Spitali Rajonal i Gjilanit ka gjithsej 58 pacientë të hospitalizuar në pesë reparte ku po trajtohen të infektuarit me coronavirus.

Gjatë ditës së sotme i pari i Gjilanit ishte në vizitë në Spital ku ka vizituar stafin mjekësor dhe pacientët me coronavirus.

“Aktualisht janë të hospitalizuar 58 pacientë, prej të cilëve 37 të konfirmuar me COVID-19 dhe 21 janë në pritje të testimit. Në CPAP janë tre pacientë, 1 është i intubuar dhe me oksigjenoterapi janë 32 pacientë. Komuna dhe Anamorava është e varur nga efikasiteti i këtij Spitali”, ka njoftuar Haziri, teksa ka kërkuar mbështetje më të madhe nga Qeveria me mjete pune.

Përveç Hazirit në këtë vizitë ishin edhe doktoresha Ajhane Sefiu, Alban Ramushi, komandant i Stacionit Policor, dr. Ukshin Ismaili, drejtor klinik në SPGJ dhe anëtar i komitetit të emergjencave kundër përhapjes së pandemisë dhe mjekë kujdestar.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme ka qëndruar brenda objektit të Repartit Infektiv në Spitalin e Gjilanit ku ka parë nga afër trajtimin e pacientëve me COVID-19.

Gjilan: Në Klinikën ku trajtohet Coronavirus oksigjeni bartet me dorë pasi mungon sistemi