Në shtator pritet që Kosova të bëhet me Ligjin për Fondin Sovran

Ligji për Fondin Sovran pritet që të shkojë në Kuvendin e Kosovës në muajin qershor.

Mentor Hyseni, udhëheqës i ekipit të ekspertëve të fushës së ekonomisë në Fondin Sovran tha se në shtator pritet që Kosova të bëhet me këtë Ligj.

“Grupi për draftimin e koncept-dokumentit ka hartuar dokumentin për Fondin Sovran, është aprovuar në Qeveri, u caktu koordinatori, grupi i ekspertëve, është draftu ligji, ka dalë në konsultim publik, është bërë lansimi dhe tani do të shkojë në Kuvend, nëpër grupe parlamentare dhe mandej do të kalojë në seancë plenare” – tha Hyseni në emisionin “Kallxo Përnime”.

Hyseni tha se pas votimit në Kuvend, do të fillojnë me bartjen e ndërmarrjeve publike dhe disa aseteve nga AKP-ja, ku edhe do të konsolidohet Fondi Sovran.

“Trepça, KEK-u, Telekomi, Posta, Infrakosi dhe Trainkosi do të barten në Fondin Sovran, por kjo nuk do të thotë që nuk do të themelohen edhe ndërmarrje të reja” – tha më tej ai

Çka është Fondi Sovran?

Fondi Sovran është shuma e mjeteve monetare që krijon Qeveria për qëllime të investimeve. Këto mjete monetare zakonisht mblidhen nga surpluset e rezervave, nga shitja e resurseve natyrore, nga privatizimet etj. Diçka e tillë ekziston në Norvegji, në Singapor, në Kuvajt etj.

Mentor Hyseni në “Kallxo Përnime”, ku po diskutohet rreth këtij Fondi, tha se po bëhet një reformë ekonomike në vend.

“Në parim do të racionalizohen ndërmarrjet publike, shteti do të konsiderojë investime kapitale në ekonominë sektoriale” – ka thënë Hyseni.

Ky Fond ka qenë premtim i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare.

“Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri, do t’i japë jetë të re aseteve që qëndrojnë të nënshfrytëzuara në AKP, do t’i japë një shtytje dhe orientim të ri ekonomisë së Kosovës. Fondi pritet që të kryejë jo vetëm një rol mbikëqyrës të aseteve të Kosovës” – kishte thënë Albin Kurti, kryeministër i Kosovës kur ishte miratuar koncept dokumenti për Fondin Sovran.

Hyseni ka shtuar se Fondi Sovran do të regjistrohet si shoqëri aksionare.

“Republika e Kosovës është aksionari kryesor që përfaqësohet prej Kuvendit, i cili përzgjedh bordin e Fondit, ruan të drejtën edhe të shkarkimit por edhe mbikqyrë edhe zhvillimin e tij dhe implementimin e strategjisë të cilën e bën Fondi” – theksoi ai.

Ndryshe, në mars të këtij viti është hartuar një draft i Projektligjit për Fondin Sovran.