Në shenjë solidariteti me fëmijët e prekur nga kanceri, Biblioteka Kombëtare ndriçohet me ngjyrë ari

Organizata “Action For Health” realizoi të hënën mbrëma, më 03.09.2024, një aktivitet në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin në Fëmijëri.

Sipas kësaj organizate kupolat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” në Prishtinë u ndriçuan me ngjyrë ari, duke shprehur solidaritet me fëmijët e prekur nga kanceri dhe familjet e tyre. Njëkohësisht edhe për të nderuar kujtimin e atyre që e kanë humbur betejën me këtë sëmundje.

Kjo ngjarje është pjesë e një serie aktivitetesh të organizuara nga “Action for Health” gjatë muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin në Fëmijëri.

Qëllimi kryesor është rritja e vetëdijes publike për kancerin në fëmijëri dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm.

Ndërkaq, Nezaqet Rukovci, udhëheqësja e organizatës “Action For Health”, deklaroi me këtë rast se aktiviteti i djeshëm (ndriçimi i kupolave) synon të ngrejë dhe prekë ndërgjegjen e secilit, veçmas të atyre që janë përgjegjës në sektorin e shëndetësisë.  “Ne kërkojmë angazhim më të madh, veçanërisht në fazat e hershme të luftimit të kësaj sëmundje tek fëmijët”- ka thënë ajo.

Përmes aktivitetit të djeshëm, “Action For Health” inkurajon dhe fton qytetarët të bashkohen në mbështetje të fëmijëve të sëmurë dhe familjeve të tyre.