Në rrjete sociale u pretendua se një lojtar i SC ‘Gjilani’-t është në gjendje emergjente – reagon klubi: Lojtari është në gjendje të mirë shëndetësore

Një video u publikua nga një faqe në Facebook në të cilin thuhej se një lojtar U-21 i klubit ‘Gjilani’ shihet i shtrirë në afërsi të fushës me bari sintetik dhe se është në ‘gjendje emergjente’.

KALLXO.com ka kontaktuar me Drilon Sylejmanin, menaxher i ekipit i cili thotë se futbollisti Bleon Abazi është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka ndonjë shqetësim.

“Ju konfirmoj që Bleon Abazi, së bashku me shokët e skuadrës kanë patur ndeshje me ekipin U21 ndaj Dukagjinit në Klinë dhe pas pjesës së parë në pushimin mes dy ka ndjerë një shqetësim të vogël dhe ka dalë për t’u ajrosur dhe me të së bashku ka qenë edhe doktori i klubit Albion Raci, ashtu siç shihet edhe në video/foto ose gjithçka që është servuar në fan paget anonime dhe të paverifikuara” – deklaroi mes tjerash Sylejmani.

Tutje ai shtoi se mjeku i ekipit së bashku me nidhmëstrajnerin Milot Gagica kanë percjellë lojtarin deri në ambulantë në Klinë, ku edhe lojtarit iu bënë ekzaminimet e nevojshme.

Sipas tij, raportet zyrtare mjekësore tregojnë se lojtari nuk ka pasur asgjë serioze dhe shqetësuese por panik.

Sylejmani ka deklaruar se si klub do të ndjekin rrugë ligjore ndaj ‘atyre të cilët në vazhdimësi publikojnë këso informacionesh’, duke iu referuar faqeve në facebook të cilat deklaruan se nuk ishte duke i ndihmuar askush lojtarit.