Në Rahovec vendoset një tunel dezinfektues

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka njoftuar qytetarët e kësaj komune se është vendosur një tunel dezinfektues te semaforët e qytetit.

“Tuneli dezinfektues prej sot është vendosur në rrugën kryesore (te semaforat), si masë mbrojtëse shtesë për parandalimin e përhapjes së COVID-19.Ideja për vendosjen e këtij Tuneli Dezinfektues fillimisht është inicuar nga OJQ-“INICIATIVA POZITIVE” si dhe është përkrahur nga këta donatorë:“AEP”, “INICIATIVA POZITIVE”, “ RAMA PRINT”, “RENAULT” dhe “RAIL TRANS”, ka shkruar Latifi në facebook.

Latifi ka thënë që ky tunel ka sistem automatik dhe mund të shfrytëzohet nga të gjithë qytetarët.

“Ky tunel ka sistem automatik, (me senzor), i cili aktivizohet posa të kalohet nëpër të dhe mund të shfrytëzohet nga të gjithë qytetarët për qasje para se të marrin shërbimet në markete, farmaci, administratë komunale, shërbime bankare, shërbime shëndetësore në QKMF etj”, ka shkruar tutje ai.

I pari i komunës së Rahovecit ka falënderuar donatorët përderisa ka thënë që mirëpresin iniciativa të tilla pozitive.

“Faleminderit për zemërgjerësinë donatorëve të cilët mundësuan vendosjen e këtij Tuneli Dezinfektues, si një nga masat më të rëndësishme për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19. Iniciativa të tilla nga të rinjtë e Rahovecit, vërtet janë për t’u vlerësuar, andaj, ju ftoj që edhe në iniciativat e radhës me të tilla qëllime pozitive të bëhemi bashkë në kalimin e kësaj situate të vështirë të cilën mundemi ta kalojmë vetëm së bashku”, ka shkruar tutje ai.

Aktualisht në këtë komunë është një rast më COVID-19, por siç ka njoftuar Latifi personi i infektuar nga fshati Kramovik, është infermiere e cila aktualisht punon në Spitalin Amerikan në Prishtinë dhe e njëjta jeton në Prishtinë.

Ndërsa në nivel vendi janë 510 persona të infektuar me COVID-19, janë shëruar 93, ndërsa kanë vdekur 12 persona.