Në QKUK mungojnë barnat për trajtimin e COVID-19

Rastet pozitive me COVID-19, në dy javët e fundit në Kosovë, u shtuan drastikisht.

Sipas raportit të datës 30 gusht 2021 të Shërbimit Spitalor, Klinik Universitar të Kosovës, nëpër klinikat e spitaleve, janë të shtrirë 1 mijë e 284 pacientë. Nga ta, 1 mijë e 167 janë të konfirmuar me COVID-19 pozitivë, 1 mijë e 98 pacientë me oksigjeno-terapi, 60  të tjerë në kujdes intensiv.

Dje, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se të gjitha barnat për pacientët me COVID-19 janë siguruar.

“Janë siguruar shumica e barnave edhe ato që nuk janë siguruar gjatë kësaj jave dhe ditëve në vijim, do të sigurohen për të gjithë qytetarët dhe të gjitha masat e tjera e domosdoshme të cilat i ka marrë stafi shëndetësorë i cili po përballet ditë e natë me këtë problematikë”, deklaroi ai para mediave.

KALLXO.com qëndroi të hënën në oborrin e Klinikës Infektive në Qendren Klinike Universitare të Kosovës. Familjarët e pacientëve u ankuan se po detyrohen të blejnë barna, pasi po mungojnë nëpër klinika.

“Kemi nevojë me ble barna, ato që nuk gjenden këtu, duhet me fol me Qeverinë, ata e dinë çka duhet me ble. Një antibiotik po duhet me ble, kushton 45 euro, po duhet me i ble vetë. Analizat, disa i bëjmë këtu, disa jashtë…”, tha Brahim Malaku, familjar i një pacienti i cili është i shtrirë në Klinikën Infektive në QKUK.

“Institucionet s’janë kërkah, nuk janë kërkah, a i ka marrë gjumi a janë t’u u marrë me fushatë, a çka, ata e dinë. Sa po i shoh, nuk janë kërkah….”, tha Malaku i cili ka ardhur nga Klina në Prishitnë për të qëndruar afër familjarit të tij.

Edhe Bashkim Halilaj, nga Drenasi thotë se detyrohen të blejnë barna për familjarin që e kanë në Infektivë.

“Ilaçet ne i blejmë zakonisht se nuk ka, me ineksione me infuzione, me të gjitha po duhet me i ble privat, edhe analizat duhet me i ba privat, sepse ka mungesë të ilaçeve. Ka mungesë, ka një numër të madh të infektuarve, bëj apel të Qeveria të interesohet për këta pacientë, këta janë njerëz të Kosovës. Kam një vërejtje, bile te porta me ua mundësu njerëzve, se është hyrja me pagesë”, tha ai për KALLXO.com.

Nga komuna e Drenasit është edhe Gani Thaçi. Ai po qëndron afër gruas së tij pasi ajo që pesë ditë është shtrirë në Klinikën Infektive në Prishitnë. Thaçi tha se kujdesi nga mjekët është shumë i mirë.

“Shoqen e kam këtu që pesë ditë, gjendja është stabile. Kujdesi i mjekëve është shumë i mirë, nuk ka vend për ankesa…barnat, ka pak mungesë, më shumë janë do barna që qiten në infuzion pa recept nuk po e di, nuk po janë shumë shtrenjtë”, deklaroi ai.

Stafin mjekësor për punën dhe kujdesin i falenderoi edhe Mehdi Aliu nga Podujeva. Ai thotë se ka raste kur disa prej analizave duhet t’i bëjnë jashtë për familjarin që është i infektuar me COVID-19.

“Sa i përket kujdesit të mjekësisë, jam falënderues, me aq sa kanë edhe për çdo moment që është kërkuar, me qenë aty kanë qenë, me krejt me të gjitha gjërat. E falënderoj stafin e Infektives. I kemi bë një jashtë, por të gjitha të tjerat brenda, gjithë shërbimi është bë brenda këtu në Spitalin e Infektives”, tha ai.

Disa komuna të Kosovës janë ankuar se kanë mungesë të barnave që janë pjesë e listës esenciale.