Foto: KALLXO.com

Në QKMF-në e Prishtinës lansohet projekti “E-Shëndetësia"

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, është bërë lansimi i projektit “E-Shëndetësia”.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti falënderoi stafin shëndetësor për punën në kohë të pandemisë si dhe donatorin, Ambasadën e Britanisë së Madhe në Kosovë, për ndihmën në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

“Është kohë e jashtëzakonshme. Jemi munduar që edhe barnat t’i kemi falas. Unë jam i sigurt se do t’ia dalim. E-qeverisjen tërë kohën e kemi përmend, por Covid e shpejtoi këtë punë. Ideja është që t’i shmangemi kontakteve të panevojshme të qytetarëve me mjekët, të komunikohet online për konsulta”, theksoi Ahmeti.

Ndërkaq, ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott foli rreth sidave që ka Kosova në shëndetësi.

“Edhe në Kosovë COVID-19 po vazhdon me pasoja të rënda në çdo fushë e sidomos në shëndetësi. Ka pasur qytetarë që nuk kanë marrë shërbime të nevojshme, kjo është arsyeja që i kemi bashkuar forcat për të fuqizuar shërbimin dhe që qytetarët të kenë qasje në shërbime shëndetësore. E-Shëndeti do t’i ofrohet për herë të parë banorëve të komunës së Prishtinës, ku shërbimi mundëson që konsultat të bëhen online përmes internetit dhe telefonave”, theksoi ai.

Në këtë ngjarje, në fund disa prej mjekëve të kësaj qendre në mënyrë simbolike iu shpërndanë tablet për të komunikuar me pacientët.