Albin Kurti - Foto: ZKM

Në pritje të Kushtetueses, Kurti: Do të veprojmë varësisht nga interpretimi

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është deklaruar sërish lidhur me lirimin e pozitës së kryeministrit në rast se Gjykata Kushtetuese vendos në favor të presidentit rreth mandatimit për qeverinë e re.

Kurti ka thënë se do të veprojnë varësisht prej zhvillimeve dhe aktgjykimit të Kushtetueses.

“Të shohim qysh po shkojnë zhvillmet në këto dy ditë, sot e nesër kur do ta kemi këtë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe posa ta lexojmë atë tekstin, të shohim çfarë interpretimi kemi do t’i marrim vendimet që duhen”, tha ai sot para gazetarëve.

“Më 6 tetor ka dalur zogu nga lëvozhga, s’kthehet më, pra këta po orvatën të bëjnë një makinë të kohës sikur në filmat fantastiko-shkencor që na kthen diku në verën e vitit 2019, por nuk është e mundshme. Është e mundshme kështu si ushtrim imagjinativ por realisht dhe logjikisht jo”, u shpreh ai.

Kurti, partia e të cilit Lëvizja Vetëvendosje po kërkon shkuarje në zgjedhje kishte thënë se do ta respektojnë aktgjykimin e Kushtetueses, nëse ai është interpretim dhe jo caktim i afateve kohore.

Gjykata Kushtetuese këto dy ditë pritet të dalë me vendim rreth dekretit të presidentit të vendit Hashim Thaçi, përmes së cilit ky i fundit mandatoi për kryeministër Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës.