Në Prishtinë sot u bënë 60 teste serologjike, nga e hëna testohen grupet e rrezikuara

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se janë pranuar makinat e para për teste serologjike dhe se janë në proces të testimit të aparateve.

Kurse nga e hëna sipas të parit të Prishtinës do testohen qytetarët që bëjnë pjesë në grupet e rrezikuara me simptoma.

“Dje kemi pranuar edhe maqinat e para si edhe testet serologjike për COVID në Komunën tonë. Sot kemi testuar edhe 60 personat e parë por në ditët e para jemi në procesin e kalibrimit dhe testimit të aparateve dhe metodologjisë. Nga e hëna do të fillojmë edhe me testim të qytetarëve, duke prioritizuar grupet e rrezikuara me simptome,” është shprehur Ahmeti.

Sipas kryetrit Ahmeti brenda dy javësh do ketë kapacitet për 400 testime në ditë.

Synimi sipas tij është të dihet përqindja e atyre që kanë pasur virusin dhe duke marrë mostrat e mbi 1000 qytetarëve të testuar pozitivë nga muaji mars të kuptohet sa do zgjasë imuniteti.

“Synimi primar në fillim është:
1. Përmes hulumtimit me 1000 persona në Prishtinë ta dijmë saktë përqindjen e atyre që e kanë pasur virusin.
2. Me një mostër të personave që kanë rezultuar pozitiv në Prishtinë që nga Marsi (1600 total – mostra rreth 600 të kuptojmë imunitetin, sa krijohet, te kush, dhe sa gjatë zgjat),” është shprehur Ahmeti.

Ai gjithashtu theksoi se me decentralizim të testeve, shumë shpejtë shumica e laboratoreve private do ta kenë mundësinë e testimit serologjik dhe PCR.

Komuna e Prishtinës merr lejen për testet serologjike për COVID-19