Pamje nga konferenca ‘Shqipja standarde sot’. Foto: KALLXO.com.

Në Prishtinë shënohet 50-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit

Organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë po mbahet sot në Prishtinë konferenca shkencore, “Shqipja standarde sot”.

Konferenca ka për qëllim shënimin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, por edhe gjendjen e këtij standardi në ditët e sotme.

Në konferencë po marrin pjesë studiues të shumtë të fushave të ndryshme të gjuhës shqipe.

Konferenca nisi me fjalët hyrëse të akademik Rexhep Ismajli, i cili prezantoi një historik të shkurtër të rezultateve të arritura në Kongresin e Drejtshkrimit dhe rëndësinë e tij.

Nga një fjalë rasti mbajtën edhe akademik Mehmet Kraja, kryetar i ASHAK-ut dhe akademik Skënder Gjinushi kryetar i ASHSH-së.

Në fjalën e tij, Kraja tha se kërkesat për revidimin e gjuhës shqipe, vijnë nga mosnjohja e standardit të shqipes.

“Populli ynë është i vogël dhe nuk mund të ketë letërsisë dhe dy gjuhë, pavarësisht se ka dy shtete” – tha ai.

Kurse, Gjinushi tha se unifikimi i gjuhës shqipe është një nga arritjet më të mëdha të kombit.

“Kongresi i Drejtshkrimit ishte një hap drejtë afrimit e bashkimit të popullit shqiptar” – tha ai.

Akademik Shkumbin Munishi, anëtar i Këshillit organizues të konferencës tha për KALLXO.com se në kuadër të kësaj konference do të diskutohet edhe lidhur me gjendjen e sotme të standardit të shqipes.

“Qëllimi i kësaj konference është që në radhë të parë të shënohet 50-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, të një ngjarje të rëndësishme për gjuhën shqipe dhe për procesin e standardizim të saj, e po ashtu të shoshitet se cila është gjendja e aktuale e gjuhës standarde, por edhe të gjuhës shqipe në përgjithësi” – tha ai.

Pak ditë më parë, në Tiranë u mbajt një konferencë jubilare për shënimin e 50-të vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit.

Kongresi i Drejtshkrimit i zhvilloi punimet nga 20 deri më 25 nëntor 1972 në Tiranë.

Në këtë kongres morën pjesë  87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi si dhe arbëreshë nga Italia.