Edicioni i parë i Festivalit “Newborn” në Prishtinë, gusht 2022, Foto: Naser Sertolli, KALLXO.com

Në Prishtinë nis festivali ndërkombëtar i vallëzimit ‘New Born’

Me defilimin e ansambleve pjesëmarrëse ka nisur sot në Prishtinë edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Vallëzimit “New Born” (International Dance Festival- New Born).

Defilimi është përcjellë me pjesë vallëzimi e muzike tradicionale nga ansamblet pjesëmarrëse nga vende të ndryshme të botës.

Ansamble nga Argjentina, Bullgaria, Kameruni, Maqedonia e Veriut, Polonia, Sllovakia e Turqia po marrin pjesë në edicionin e parë të festivalit “New Born”.

Besnik Grajçevci, ideatori dhe njëri nga organizatorët e këtij festivali, ka thënë për KALLXO.com se festivali do të mbahet në disa qytete të Kosovës. Përveç Prishtinës, ansamblet pjesëmarrës të këtij festivali do të prezantohen edhe në Prizren, Ferizaj, Viti e Obiliq.

“Kosova, si nikoqir i këtij festivali, prezantohet nga shoqëritë kulturore të qyteteve ku do të prezantohet festivali. Festivali është garues dhe do të ndahen edhe çmime”- tha ai.

Sipas tij, netët finale do të mbahen më 14, 15 dhe 16  gusht 2022 në Gërmi në Prishtinë.

“Shpallja e fituesve të festivalit  do të mbahet në amfiteatrin e pishinës së Gërmisë, më 14, 15 dhe 16 gusht 2022. Do të ndahen tri çmime; vendi i parë – shpërblimi 2,000  euro, vendi i dytë -1.500 euro dhe vendi i tretë – 1.000 euro” – shtoi ai.

Festivali mbyllet më 17 gusht.

Edicioni i parë i Festivalit “New Born” në Prishtinë, gusht 2022, Foto: Naser Sertolli, KALLXO.com
Edicioni i parë i Festivalit “New Born” në Prishtinë, gusht 2022, Foto: Naser Sertolli, KALLXO.com
Edicioni i parë i Festivalit “New Born” në Prishtinë, gusht 2022, Foto: Naser Sertolli, KALLXO.com