Foto: Hashim Thaçi/Facebook

Në Prishtinë inaugurohet busti i Bob Dole, lidershipi kosovar e cilëson hero të gjallë senatorin amerikan

Sot në Prishtinë është inauguruar busti i senatorit amerikan, Bob Dole.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Avdullah Hoti dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e kanë përshëndetur inaugurimin e bustit të Bob Dole në kryeqytet, duke e vlerësuar shumë lart kontributin e tij për Kosovën.

Presidenti Thaçi e ka quajtur senatorin amerikan hero të gjallë të popullit të ShBA-së dhe atij të Kosovës.

“Jam shumë i lumtur që angazhimi shumëvjeçar i senatorit Dole për Kosovën, sot po përjetësohet në qendër të Prishtinës përmes inaugurimit të bustit të tij. Bob Dole është hero i gjallë i popullit të SHBA-së dhe i popullit të Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Kurse, kryeministri Hoti bashkë me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit, mori sot pjesë në ceremoninë e zbulimit të bustit të senatorit amerikan në lagjen “Dardania” të Prishtinës.

Hoti u shpreh i bindur që secili e merr Dole si shembull të përkushtimit dhe se si duhet të jetë një politikan, një atdhetar për vendin e vet në luftë dhe në paqe.

“Unë jam i bindur që ky bust këtu të jetë vend ku edhe gjeneratat e ardhshme do të mësojnë për historinë e tij, historinë e ndërtimit të miqësive në mes të dy popujve tanë dhe do të inspirohen për kontributin dhe dedikimin që duhet të kemi secili nga ne për vendin tonë”, tha kryeministri Hoti.

Ndër të tjera, kryeministri Hoti veçoi se Senatori Dole është ndër personat e parë zyrtarë të lartë të SHBA-së që e kanë vizituar Prishtinën dhe presidentin Rugova në ditët më të vështira kur është vendosur gurthemeli i shtetit të Kosovës e edhe i miqësisë së përjetshme të Kosovës me ShBA-në.

“Vërtet është nder i veçantë për mua që sot së bashku e zbulojmë këtë bust. Le të mbetet ky vend, kjo simbolikë e nderit e miqësisë së përhershme e popullit të Kosovës me popullin e ShBA-së”, përfundoi kryeministri Hoti.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se busti i Dole simbolizon ngjarjen historike të 29 gushtit 1990, që shënoi kthesë të madhe e i dha orientim zhvillimeve që do të pasonin.

“Të kryesuar nga Bob Dole, senatorët amerikan vërtetuan prej së afërmi ndjenjat e një populli të robëruar, liritë e të cilit i kufizoheshin çdo ditë, mbijetesa e të cilit vihej në rrezik”, ka potencuar Haradinaj.

Më tej Haradinaj ka thënë se Bob Dole vazhdon të jetë një luftëtar i devotshëm kundër komunizmit dhe shtypjes së popujve që ende nuk kanë realizuar aspiratat e tyre për liri e demokraci.