
Në prill vazhdon gjykimi ndaj Granit Elshanit
Në gjykimin e Granit Elshanit, i akuzuar për vrasje e tri vrasje në tentativë, ka dëshmuar zyrtari policor Riza Mahaj. Elshani ishte arrestuar e më pas u lirua në natën e 2 dhjetorit 2010, kur u vra Besart Shabi dhe i plagosur mbeti Valdet Kelmendi në diskotekën “City Club”, në Pejë.
Sot, në Gjykatën e Gjakovës, pranë trupit gjykues Mentor Bajraktari, Nikollë Komani e Shaqir Zika, dëshmitari Riza Mahaj – udhëheqës në sektorin e vrasjeve në Drejtorisë Rajonale në Pejë, tregoi se natën kritike të rastit të ndodhur, kishte qenë jashtë detyre, por që kishte shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes bashkë me kolegë dhe më pas kishin hasur në një dëshmitar, i cili kishte thënë se mund të identifikonte kryesit e aktit dhe në bazë të një fotoje tha se personi ngjason me Shkodran Hysenin.
“Kemi shkuar menjëherë në shtëpinë e Shkodran Hysenit, ku kemi takuar familjarët e Shkodranit, babanë Tahirin dhe vëllain Elbasanin si dhe Granit Elshanin si mysafir ty tyre, pasi që të njëjtin e kishin nip, ndërsa Shkodrani kishte qenë në botën e jashtme”, tregoi zyrtari policor.
Mahaj tha se në diskotekë kishte parë një rrëmujë shumë të madhe, shishe e tavolina të thyera, njolla gjaku e gëzhoja.
Ai tregoi se në dhomën ku qëndronte Graniti, në shtrat e kishin gjetur armën e tipit “Six sour”.
“Aty kemi gjetur një armë, e cila nuk është përputhur me gëzhojat e vendit të ngjarjes te diskoteka. Atë natë Graniti ka qenë në gjendje normale, duke e pasur pak ftohtë për shkak se dritarja kishte qenë disi gjysmë e hapur, si e bllokuar. Graniti na ka thënë që armën e kishte gjetur në rrugë për në fshatin Ramun të Pejës”, deklaroi dëshmitari Riza Mahaj.
Ai tregoi se më pas Granitin dhe vëllain e Shkodran Hysenit, Elbasanin i kishin shoqëruar në polici në mënyrë që të identifikoheshin nga dëshmitari, i cili dëshmitar kishte thënë që asnjëri prej tyre nuk ishte personi që kishte gjuajtur në diskotekë.
Dëshmitari Riza Mahaj, tregoi se arma e gjetur në shtëpinë e Tahir Hysenit nën jastëkun e Granit Elshanit, pasi ishte ekzaminuar kishte rezultuar se përkon me gëzhojat në shtëpinë e mallrave, tek butiku “Muku”, ku është plagosur Hasan Buqaj.
Mahaj, tha se personi Shkodran Hyseni, i cili nuk ishte gjetur në shtëpinë e tij është në kërkim të organeve për vepër tjetër penale.
Ai tha se vendi i ngjarjes ka qenë përmbi 1 mijë e 300 metra hapësirë.
Para disa ditësh, edhe zyrtari policor Shpend Berisha kishte thënë që pas të shtënave brenda në diskotekë kishte qenë një rrëmujë e madhe dhe në tokë kishin konstatuar gëzhoja të armës “TT”.
Berisha kishte thënë që atë natë të akuzuarin Granit Elshani, e kishte parë të zhveshur gati vetëm në të brendshme, që dukej i sapo zgjuar prej gjumit.
Për këtë rast, u caktuan datat 8 dhe 14 prill për dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.
Sipas aktakuzës, Elshani kishte shtënë për motive hakmarrjeje ndaj Kelmendit.
Konflikti pejan që mori shumë jetë njerëzish, kishte nisur qysh në vitin 2000.
23 persona kanë vdekur në konfliktin mes familjeve Elshani e Kelmendi – 10 të familjes Kelmendi, 3 të asaj Elshani dhe 10 persona tjerë.
Granit Elshani i takon familjes Elshani nga Ozdrimi i Pejës, e cila në aktakuzën e prokurorisë pretendohet se ka hasmëri me familjen Kelmendi që nga viti 2000.
Në muajin maj të vitit 2018, Gjykata e Pejës e gjeti fajtor Granit Elshanin dhe e dënoi me 25 vjet burgim, mirëpo Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.
Në aktakuzën e prokurorit të EULEX-it, ishte përshkruar konflikti mes dy familjeve që kishte marrë jetën e 23 personave.
Aktakuza thotë se natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por për fat të keq Besart Shabi kishte qëlluar afër tij.
Aktakuza shpjegon se në këtë konflikt familjesh kanë ndodhur 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit, e në mesin e tyre edhe dy fëmijë.
Gjatë incidenteve ishin plagosur 38 persona, prej të cilëve 15 nga familja Kelmendi, shtatë nga familja Elshani dhe 16 viktima të rastit.
Granit Elshani akuzohet për vrasje të rëndë, tri tentim vrasje, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.
Këto akuza janë konsumuar natën e 2 janarit 2010 në diskotekën “City Club” në Pejë.
Në përballje me gjykatën, Granit Elshani kishte mohuar se kishte qenë personi që kishte shtënë me armë zjarri në diskotekë.
Askush nga dëshmitarët nuk kishin arritur ta identifikonin Elshanin si personi që kreu vrasjet.
Ndërsa Xhevdet Kelmendi, njëri nga pjesëtarët e gjallë të familjes Kelmendi, kishte thënë që atë natë Graniti ka gjuajtur me dy armë në drejtim të vëllait të tij, Valdetit.
https://kallxo.com/rrefimi-i-xhevdet-kelmendit-per-vrasjef-ne-konfliktin-elshaneve-dhe-kelmendeve/