foto: Ilustrim

Në pranga dy persona për trafikim me njerëz

S.S, 40 vjeç dhe J. Sh 41 vjeç janë arrestuar nga policia dje si të dyshuar për trafikim me njerëz dhe për shërbime seksuale të viktimës së trafikimit.

Policia  ka sqaruar se pas pranimit të informatës për  një rast ku dyshohej për trafikim me njerëz, kanë filluar veprimet operativo-hetimore në koordinim me  prokurorin  kujdestar të Prokurorisë Themelore Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda.

“Policia, më 08.10.2019, gjatë kontrollit në një banesë në Fushë Kosovë, ka arrestuar dy të dyshuar meshkuj: S.S. viti i lindjes 1979 dhe J. Sh. viti i lindjes 1978, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale: ‘Trafikim me njerëz’ dhe ‘Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit’”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu policia ka thënë se në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdorën në procedura të mëtejme gjyqësore, por nuk kanë dhënë detaje se çfarë provash kanë gjetur.

“Viktimat e rastit janë  trajtuar sipas ‘Procedurave standarde për viktimat e trafikimit’, të njëjtat janë  dërguar në strehimore të sigurt”, thuhet tutje në njoftim.

Dy të dyshuarit pasi janë intervistuar nga ana e policisë dhe prokurorisë, me vendim të këtij të fundit janë ndaluar për 48 orë.