Në prag të zgjedhjeve, Shyqiri Bytyqi investon në shkollën e fshatit të tij

Në prag të zgjedhjeve, ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, mori pjesë në fillimin e punimeve për një sallë të edukatës fizike në shkollën “Adedin Bujupi” në Drenas.

Kjo shkollë gjendet në fshatin e ministrit Bytyqi, në Arllat. E me rastin e fillimit të punimeve përveç ministrit ishin edhe zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj dhe kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Bytyqi tha se me këtë investim po kompletohet infrastruktura shtesë në këtë shkollë pasi nxënësit e kësaj shkolle e kanë dëshmuar cilësinë në arsim.

“Kemi një shkollë jashtëzakonisht të mirë këtu në Arllat. Jo vetëm si objekt, por vërtetë kjo shkollë ka treguar edhe suksese në cilësinë e arsimit, kështu që edhe sot po kompletohet me infrastrukturë shtesë, pra me sallën e edukatës fizike”, tha ai.

Ministri Bytyqi shtoi se nxënësit tashmë, përveç pjesës së edukimit dhe arsimimit, do të kenë edhe një sallë moderne sportive për të zhvilluar aktivitetet e tyre.

Ministri Bytyqi kishte investuar edhe në të kaluarën në shkollat e fshatit të tij. Kohë më parë ai përuroi një fushë sportive në Arllat të Drenasit.

Ndërsa, KALLXO.com ka raportuar edhe për punësimin e vëllait të ministrit në detyrë, Shyqiri Bytyqi.

Ministrit i punësohet vëllai në shkollën e fshatit të lindjes