Kujtim Gashi

Në prag të zgjedhjeve Ministria e drejtuar nga Kujtim Gashi i PDK-së hap 18 konkurse për punësime

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e drejtuar nga ministri në detyrë, Kujtim Gashi nga PDK, në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit 2019, ka shpallur 18 konkurse për pozita të ndryshme brenda kësaj ministrie.

Vetëm gjatë muajit shtator 2019, një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të jashtëzakonshme MKRS ka hapur 18 konkurse (pozita), 2 prej tyre të ri-shpallura.

Ndërsa, që nga fillimi i shtatorit deri më 2 tetor 2019 janë pranuar 8 punëtorë të rinj, kryesisht zyrtarë në administratën e MKRS-së, qoftë në Qendër në Prishtinës, në Zyrën e MKRS-së në Prizren, dhe në institucionet vartëse të kësaj ministrie.

Në përgjithësi të gjitha pozitat e kërkuar me konkurset e MKRS-së janë për zyrtarë administrativ, edhe pse nevoja për punëtorë profesional në institucionet vartëse, si në teatrot kosovare, Balet apo Institutin Arkeologjik janë evidente.

Një pjesë e mirë e këtyre pozitave, sipas konkurseve të Ministrisë së Kulturës, janë kontrata për Shërbime të Veçanta (Kontrata mbi vepër).

Konkurse për punë dhe pranime të punëtorëve të rinj në dikastere të ndryshme, MKRS ka bërë edhe gjatë muajit gusht dhe korrik.

Në gusht kjo ministri ka hapur 4 konkurse për vende pune dhe ka pranuar në punë 4 punëtorë të rinj, ndërsa në korrik janë hapur 4 konkurse për vende pune dhe janë pranuar në punë 4 punëtorë të rinj.

Që nga dorëheqja e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe vendimit të përbashkët të institucioneve dhe partive politike që vendi të shkojë në zgjedhje të përgjithshme, MKRS ka hapur 27 konkurse për vende të reja pune.

Kurse janë pranuar 17 punëtorë të rinj, në MKRS në Qendër dhe Prizren, si dhe në institucionet vartëse të MKRS-së, një pjesë e të cilëve janë pranuar në bazë të konkurseve të hapura para tre muajve të fundit.

Të gjitha konkurset e shpallura nga MKRS mund t`i gjeni duke klikuar në LINK