Në prag të përfundimit të mandatit, Kuvendi debaton për Qeverinë Kurti
Në prag të përfundimit të mandatit, Kuvendi i Kosovës do të mbaj debat parlamentar lidhur me qeverisjen katërvjeçare të kryeministrit, Albin Kurti.
Kjo seancë është propozuar gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, më 25.11.2024, nga deputeti Besnik Tahiri në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe do të mbahet më 02.12.2024.
Ndërkaq, shefi i Grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, tha se kjo seancë do të jetë ndër më të rëndësishmet e kësaj legjislature të Kuvendit.
“Do të ketë disa seanca, ajo që është më e rëndësishme është seanca e ditës së hënë, ku do të diskutohet qeverisja katër vjeçare e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, ky do të jetë debati kryesor dhe vëmendja kryesore”- u deklarua Gashi.
Gashi tha se në këtë seancë përmbyllëse të kësaj legjislature, do të diskutohet për veprimet e kësaj qeverie gjatë katër viteve mandat.
“Në këtë seancë do të diskutohen të gjitha veprimet dhe mosveprimet katër vjeçare dhe do të diskutohen të gjitha masat dhe verimet dëmtuese që qeveria Kurti i ka bërë në këto katër vite”- tha Gashi.
Ndërkaq, shefja e Grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, njoftoj për mbajtjen edhe të dy seancave të tjera më 05.12.2024.
“Si pozitë synojmë të përmbyllim projektligjet që janë në lexim të dytë, por edhe projektligjet të cilat do të trajtohen në mënyrë që përmbyllja e mandatit apo legjislaturës së tetë të Kuvendit, perfundimisht të kurorëzohet me të gjitha projektligjet, të cilat kanë qenë bazë dhe fundament i programit tonë zgjedhor, por edhe marrjes së besimit të qytetarëve për të shtyrë përpara reformën në drejtësi, në ekonomi, administratën publike”- tha ndër të tjera Kusari-Lila pas mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.