Foto: Policia e Shtetit

Në Portin e Durrësit arrestohen 10 shtetas të Kosovës, dyshohet se ndihmuan 16 të mitur për të kaluar drejt Italisë

Dhjetë persona, shtetas të Kosovës, janë arrestuar sot në Portin e Durrësit, nen dyshimin se kanë ndihmuar 16 shtetas të mitur nga Kosova që të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt Italisë.

Sipas Policisë së Shtetit, të arrestuarit janë prezantuar si anëtarë të bordit të ekipit sportiv që përbëhej nga 16 shtetasit e mitur që ata po shoqëronin.

Të njëjtit dyshohet se kanë marrë nga të miturit 3 mijë deri në 4 mijë euro.

“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se të miturit dhe prindërit e tyre u kanë dhënë këtyre shtetasve, 3000 – 4000 euro, për t’i ndihmuar të miturit që të hynin në Itali, ku më pas dyshohet se do të kërkonin azil”- thuhet në njoftim.

Ndërsa, tutje thuhet se organizatorit të kësaj veprimtarie kriminale i janë gjetur sekuestruar rreth 6 mijë euro.

“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi B. H. ka organizuar transportimin e shtetasve të mitur dhe të personave të tjerë tashmë të arrestuar, nga Kosova në Kukës dhe më pas në Durrës, me autobusin e një kompanie turistike në Prishtinë. Gjatë kontrollit fizik, Policia i ka gjetur këtij shtetasi 5945 euro, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale”- thuhet tutje në njoftim.

Policia ka njoftuar se është duke vazhduar puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.

“Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim”- ka thënë Policia e Shtetit.

Foto: Policia e Shtetit