Në Podujevë strehohen 48 persona të ardhur nga Shqipëria

Komuna e Podujevës ka njoftuar se në territorin e saj janë strehuar 48 persona nga zonat e prekura nga tërmeti i së martës që goditi Shqipërinë.

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, ka shqyrtuar raportin e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe FSK-së për gjendjen e sigurisë në Komunë gjatë muajit të fundit; informatën për rastet e kthimit dhe integrimit të qytetarëve në shtëpitë (pronat) e tyre si dhe formimin e grupit punues për Planin e Punës të KKSB për vitin 2020 dhe grupin për informatën e punës së KKSB për 2019.

Lidhur me gjendjen e sigurisë në komunën e Podujevës raportoi edhe komandanti i stacionit policor në Podujevë, Bekim Zogiani, i cili tha se gjendja e përgjithshme e sigurisë në përgjithësi është e mirë. Ai si shqetësuese paraqiti rastin e rritjeve të aksidenteve në komunikacion dhe rastin e sulmit me armë nga persona të panjohur ndaj shtëpisë së një pjesëtari të Policisë së Kosovës.

Në komunikatë thuhet që gjendja e sigurisë në komunën e Podujevës është e qetë dhe stabile. Përfaqësuesi i KFOR-it vlerësoi lart solidaritetin dhe mikpritjen e treguar nga qytetarët e komunës së Podujevës për qytetarët e zonave të goditura nga tërmeti.

Në takim u tha se qytetarët që kanë strehuar dhe që do të strehojnë familje të ardhura nga zonat e goditura nga tërmeti në Shqipëri duhet të paraqiten te kryetarët e komitetit të fshatrave, ose në Komunë dhe t’i japin të dhënat për numrin e anëtarëve të familjeve të strehuara, në mënyrë që të bëhet evidentimi i saktë i tyre.

Nga tërmeti që goditi më 26 nëntor Durrësin dhe Thumanën kanë vdekur 51 persona, e rreth 1.000 janë lënduar.

Ndërsa, udhëheqësi i Zyrës për Komunitetet dhe Kthim, Liman Zeqiri paraqiti informatën për rastet e kthimit dhe integrimit të qytetarëve në shtëpitë (pronat) e tyre. Zeqiri tha se gjatë këtij viti janë riatdhesuar 103 persona. Më tej ai tha se tri familjeve u është siguruar strehim i përkohshëm, kurse tri familje kanë kërkuar të futen në skemën e asistencës sociale.

Gjithashtu, KKSB në mbledhjen e sotme formoi Grupin Punues për hartimin e Planit të Punës të KKSB për vitin 2020 si dhe grupin për hartimin e informatës së punës së KKSB për 2019.