Në pikëpyetje mbajtja e Panairit të Librit të Prishtinë në qershor

Pavarësisht se ende nuk ka dalë me njoftim zyrtar, Shoqata e Botuesve të Kosovës ka gjasa që ta anulojë Panairin e 22-të Librit në qershor, sado që Qeveria ka paralajmëruar se nga fillimi i qershorit nis lehtësimi i masave të marra për shkak të Coronavirusit.  

Tradicionalisht, Panairi i Librit në Prishtinë mbahet në fillim të muajit qershor.  

Edon Zeneli, kryetari i SHBK-së ka thënë për KALLXO.com se kryesia e SHBK-së është duke pritur se çfarë zhvillimesh do të ketë pandemia në vendin e rrjedhimisht edhe vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë.  

“Mund të thuhet që është i pashmangshëm pezullimi i panairit, me shpresën që nuk do të ketë valë të dytë dhe do të ketë mundësi të mbahet në fillim të muajit shtator apo tetor. Anulimi i panairit është humbje e madhe për botuesit dhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë pikë dhe të presim deri në momentin e fundit duke shpresuar që do të piqen kushtet për mbajtjen e tij”, ka thënë Zeneli.  

Zeneli ka thënë se sikur çdo hallkë tjetër të ekonomisë, pandemia ka prekur dhe dëmtuar edhe botuesit, pasi siç ka thënë ai, libraritë nuk kanë punuar për një muaj e gjysmë dhe kuptohet që kjo gjë ndikon negativisht.  

“Shoqata e Botuesve e Kosovës merr pjesë çdo vit në Panairin e Librit në Paris, atë në Frankfurt dhe atë në Tiranë. Organizon Panairin e Prishtinës. Ka gjasa që sivjet asnjëri panair të mos realizohet dhe kjo nënkupton një vit të çuar dëm për ne”, ka pohuar kryetari i SHBK-së, Edon Zeneli. 

Panairi i Prishtinës çdo vit ndihmohet nga MKRS, e cila këtë vit për shkak të COVIS-19 ende nuk e ka konfirmuar mbështetej për 2020.