
Foto: KQZ/Facebook
Në pesë komuna përfundon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, numërimi vazhdon në 29 komuna të tjera
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në pesë komuna të Kosovës ka përfunduar numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, ndërsa vazhdon në 29 komuna të tjera.
Sipas njoftimit të KQZ-së, ka përfunduar procesi i numërimit të votave në këto Qendra Komunale të Numërimit: Hani i Elezit, Shtërpcë, Partesh, Ranillug dhe Junik.
“Gjatë ditës së premte 14 shkurt procesi i numërimit të votave të kandidatëve ka filluar edhe në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat: Dragash, Istog, Rahovec, Pejë, Podujevë, Klinë, Malishevë dhe Graçanicë.” – thuhet në njoftimin e KQZ-së, më 14.02.2025.
Numërimi i votave në Partesh kishte nisur më 11.02.2025, kurse në Shtërpcë, Ranillug, Viti e Han të Elezit kishte nisur më 12.02.2025.
Dhe në Junik, numërimi i votave kishte nisur më 13.02.2025.
Ndërsa, në komunën e Prishtinës, Lipjanit, Obiliqit numërimi i votave ka filluar më 11.02.2025.
Një ditë me vonë, më 12.02.2025 numërimi ka nisur në Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skënderaj, Shtërpcë, Kllokot, Mitrovicë e Veriut.
Ndërsa, në Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Kaçanik, Novobërdë, Prizren, Shtime numërimi ka nisur më 13.02.2025, sipas KQZ-së.
KQZ ka njoftuar se në komunat: Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mamushë, nuk ka filluar ende numërimi i votave por për këtë do të ketë njoftim me kohë.
Ndërkohë që nëpër komuna të Kosovës po bëhet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, në disa raste procesi është përcjellë me telashe teknike që nga dita e zgjedhjeve më 09.02.2025, kur pak orë pas mbylljes së vendvotimeve KQZ-ja ka pasur probleme me platformën në procesimin e rezultateve.
Për këto zhvillime, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, gjatë një takimi me presidenten Vjosa Osmani, më 13.02.2025, tha se janë në pritje të një raporti përfundimtar nga institucionet e sigurisë.
Kurse, presidentja Osmani shtroi nevojën e koordinimit të mekanizmave institucionalë për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të votës së qytetarëve.
Sipas përditësimit të fundit të bërë më 12.02.2025, në ora 22:12 të KQZ-së, janë numëruar 99.72% e votave për subjektet politike që morën pjesë në zgjedhje.
Nga rezultatet aktuale preliminare që ka nxjerrë KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84%, Partia Demokratike e Kosovës 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.67%, koalicioni AAK-NISMA 7.45%, Lista Serbe 4.55%, Koalicioni për Familjen 2.26%.
Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.