Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Foto: Ambasada e SHBA-së në Kosovë
Në përfundim të mandatit, Hovenier dekorohet me Urdhrin Presidencial “Dr. Ibrahim Rugova”
Presidentja Vjosa Osmani, më 10.12.2024 ka ndarë urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova” për ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Ajo e ka falënderuar atë për përkushtimin e tij për lirinë, pavarësinë, sovranitetin e Kosovës dhe për aleancën SHBA-Kosovë.
Osmani e ka quajtur Hovenierin diplomat të jashtëzakonshëm dhe mik të vërtetë të Kosovës.
“Për shërbimin e jashtëzakonshëm të Jeff Hovenier, pata nderin të paraqes Urdhrin Presidencial ‘Ibrahim Rugova’ në emër të popullit të Kosovës—një simbol i qëndrueshëm i mirënjohjes, respektit dhe miqësisë sonë të qëndrueshme. Faleminderit, Ambasador, për përkushtimin tuaj të palëkundur për lirinë, pavarësinë, sovranitetin e Kosovës dhe për aleancën SHBA-Kosovë. Në çdo kuptim, ju jeni dhe do të mbeteni gjithmonë një kampion i vërtetë i lirisë dhe demokracisë”- ka shkruar Osmani.
Urdhri Për Paqe, Demokraci Dhe Humanizëm “Dr. Ibrahim Rugova”, u jepet personave vepra jetësore e të cilëve cilësohet si kontribut i veçantë për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e Humanizmit.
Hovenier do të largohet nga misioni në Kosovë këtë muaj.
Jeffrey Hovenier është betuar si ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë më 30.12.2021.
Ai është pasardhës i ambasadorit, Philip Kosnett.
Hovenier është diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës. Ai është nominuar për ambasador në Kosovë në muajin korrik 2021, nga presidenti amerikan, Joe Biden.