Foto: Facebook/Syri i Vizionit

Në Pejë nis fushata dyjavore “Dhuna nuk ka Justifikim”

Si pjesë e fushatës së promovimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, me theks të veçantë ndalimin e ndëshkimit trupor dhe dhunës ndaj fëmijëve, sot në Pejë ka filluar fushata dyjavore “Dhuna nuk ka Justifikim”.

Kjo fushatë ka filluar nga organizatat “Syri i Vizionit” në partneritet me “Save the Children” në Kosovë dhe në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë – Zyra e Kryeministrit, në kuadër të fushatës “RriteMeDashni”.

Naser Lajqi nga “Syri i Vizionit” ka thënë se qëllimi i kësaj fushate është promovimi i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, një vit pas hyrjes në fuqi, me theks të veçantë ndalimin e ndëshkimit trupor, duke ndërgjegjësuar dhe vetëdijesuar gjithë qytetarët në parandalimin e dhunës dhe ndëshkimit trupor ndaj fëmijëve.

Në njoftim thuhet se Qendresa Ibra-Zariqi nga Zyra për Qeverisje të Mirë – Zyra e Kryeministrit ka thënë se kjo fushatë që sot ka nisur në Pejë do vazhdojë edhe në shtatë qendra të tjera të Kosovës dhe synojmë që ta rrisim vetëdijen e prindërve, kujdestarëve ligjorë dhe shoqërisë në përgjithësi për pasojat që ka përdorimi i dhunës ndaj fëmijëve dhe për ekzistimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.

Fushata “Dhuna nuk ka Justifikim” realizohet në kuadër të fushatës vetëdijesuese mbi ndalimin e ndëshkimit trupor dhe dhunës ndaj fëmijëve #RriteMeDashni dhe do të vazhdojë edhe në Prizren, Gjilan, Ferizaj, Mitrovicë, Gjakovë dhe do të përmbyllet në Prishtinë më 10 nëntor.

Foto: Facebook/Syri i Vizionit
Foto: Facebook/Syri i Vizionit