Në objektin që përdorej nga strukturat paralele, vendosen pllakat me emërtimet e tri ministrive të Kosovës
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Brendshme si dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, sot më 02.09.2024, kanë vendosur pllakat me emërtimet e tyre në ish-objektin e strukturës paralele në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicë të Veriut.
Ky objekt është mbyllur nga Policia e Kosovës të premten më 30.08.2024 së bashku me katër objekte të tjera të strukturave paralele që kanë operuar në veri.
Sipas ekipit të KALLXO.com që është duke raportuar nga vendi i ngjarjes, policia në terren thonë se degët e ministrive të lartpërmendura do të vendosen së shpejti brenda këtij objekti dhe do të jenë në shërbim të qytetarëve- pa dallim.
Ndryshe, sot, më 02.09.2024, rreth 80 qytetarë të komunitetit serb kanë protestuar para objektit që ishte përdorur nga komuna paralele në Mitrovicën e Veriut. Ata kanë kërkuar që të kthehen në vendet e punës.
Lajmin e konfirmuar zv.drejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Protestojnë ish-punëtorët e komunës paralele në Mitrovicën e Veriut, kërkojnë të kthehen në punë
Më 30.08.2024, janë mbyllur këto komuna paralele: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna ilegale e Mitrovicës, Komuna ilegale e Zveçanit, Komuna ilegale e Zubin Potokut dhe Komuna ilegale e Leposaviqit.
Aksioni i Policisë ka nxitur reagimin e ambasadave të vendeve të QUINT-it dhe të BE-së, duke u cilësuar si veprim i pakoordinuar që mund të sjell tensionim të situatës në veri të Kosovës.