Në mungesë të të akuzuarve, dështon seanca për “Stenda 2”

Megjithëse u bënë akomodime duke zhvendosur sallën e gjykatës  në objektin e ish- Rilindjes,  seanca gjyqësore në rastin “Stenda 2”, në mungesë të tre të akuzuarve dështoi të mbahet.

Katër të akuzuarit në këtë  rast Gani Bajraktari,Agim Krasniqi, Ejup Pllana dhe Nehbi Musliu nuk ishin prezent.

Për të akuzuarin Gani Bajraktari, kryetarja e trupi gjykues,  Shadije Gërguri bëri të ditur se i njëjti e kishte njoftuar gjykatën se është në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Ndërkaq, ajo tha se tre të akuzuarit Krasniqi, Musliu dhe Pllana nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre.

Gjykatësja Gërguri, tutje shtoi se nëse të njëjtit do mungojnë në seancën e ardhshme do të lëshojë urdhërë për sjellje me detyrim.

Kurse sa i përket të akuzuarit që ishte në këtë rast Sami Gjoka , i cili tani më është i ndjeri, gjykatësja Gërguri tha se më vonë do të merrte aktvendim për pushim të hetimeve për shkak të  vdekjes së tij.

Kujtojmë se për shkak të numrit të madh të të akuzuarve, trupi gjykues ka marrë vendim, që seanca gjyqësore të mbahet në objektin e ish- Rilindjes.

Ky vendim u mor për shkak të hapësirës s kufizuar në Pallatin e Drejtësisë dhe me qëllim të respektimit të masave mbrojtëse ndaj  COVID-19.

Seancat e radhës u caktuan për datën 2 dhe 3 shkurt 2021.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë, Gani Bajraktari, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Daut Gorani, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nehbi Musliu, Dardan Koqinaj, Avni Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lezer Prekpalaj, Rexhep Manaj, Elfedin Muhaxheri, Nehat Rexhepaj, Nexhmi Zeqiri, Florim Sadiku, Lulzim Kamberi, Reshat Emra, Halim Haliti, Agron Leka, Agron Besimi, Galina Berisha, Bajram Mziu, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Besim Guda, Bajram Preteni, Ismajl Avdimetaj, Petrit Ademaj, Aferdita Selmanaj, Salih Shala, Luan Pazhari.

Në këtë rast të akuzuar kanë qenë 45 persona por ndaj të akuzuarve Murat Abazi e Ferid Susuri, Perihane Sefa dhe Masar Gashi gjatë seancave gjyqësore për shkaqe shëndetësore është veçuar procedura penale.

Ndërkaq për të akuzuarin Sami Gjoka, procedura do pushohet për shkak se i njëjti tani më është i ndjerë.

Në seancën fillestare gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Gjykimi ndaj ish-ministrit Agani dhe ish-sekretarit Shabani tashmë ka përfunduar. Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim ndërsa Shabani është dënuar 2 vjet burgim, mirëpo rasti është kthyer në rigjykim.

Kurse po vazhdon procesi gjyqësor në rastin “Stenta 3”, ku janë të përfshirë kryesisht, drejtorë e mjekë të spitaleve private.

Të akuzuarit në këtë rast “Stenta 2” nga Prokuroria Speciale ngarkohen për veprat penale të keqpërdorimit te pozitës dhe marrje të ryshfetit.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve.

Në rastin “Stenta” të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Sipas aktakuzës, këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Sipas aktakuzës, këta dy të akuzuar i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej  4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.