Në mungesë të kuorumit nuk votohet rezoluta e opozitës për gjendjen në KEK

Deputetët opozitarë në Kuvendin e Kosovës kanë akuzuar partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje për keqmenaxhim me sektorin e energjisë dhe ndërhyrje në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Temë e diskutimi në seancën e jashtëzakonshme, më 24.10.2024, ka qenë edhe rasti i ish kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ambasadorit të Kosovës, Martin Berishaj, dhe bisedat e pretenduara të koordinatores së LVV-së, Dejona Mihali.

Opozita po ashtu ka kritikuar deputetët e LVV-në për mungesën në ketë seancë.

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca tha se për shkak të numrit të pamjaftueshëm të deputetëve në sallë, rezoluta e hartuar nga opozita, do të shqyrtohet një herë tjetër, kur në Kuvend të ketë kuorum.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se KEK-u drejtohet nga njerëz të deleguar të LVV-së.

“Tash e 5 vite Korporata Energjetike e Kosovës drejtohet nga njerëz të deleguar nga LVV-ja. Në total, buxheti i shpenzuar në këto vite i kalon 600 milionë euro, e që ne nuk e dim nga kush janë menaxhu: nga Bordi, drejtori, a janë menaxhu nga Dejona, Nagipi apo Martini. Janë dhënë diku rreth 105 milionë euro kontrata njëburimore. Kjo situatë nuk ka ndodh asnjëherë”- është shprehur ai.

Sipas tij, duke qenë KEK nën drejtimin e LVV-së ka ndodh shtrenjtimi 100 për qind i energjisë elektrike.

Ai tutje ka thënë se abuzimet në KEK janë të mëdha, duke përmendur familjarët e deputetët të LVV-së të punësuar në këtë institucion.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka folur për kontratat njëburimore në Korporatën Energjetike të Kosovës në vitet e fundit.

Ai ka thënë se nga viti 2021-2024 janë 131 kontrata të tilla.

“Nuk kanë dashtë të shpallin procedura të prokurimit nga frika që mund t’i merr ai që meriton, por këta kanë dashtë që t’i merr ai që ju duhet këtyre. Pjesa më e madhe e këtyre kontratave është për sigurim të objekteve… Sigurimin shëndetësor e kanë berë me kontratë sekrete. Kontratë sekrete bëjnë edhe për blerje të kartolinave për vitin e ri”- u shpreh ai.

E shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar mungesën e ministrave kur po diskutohet për, siç tha ai, skandale që meritojnë përgjigje.

Tutje ai, ka shtruar pesë teza “që qytetarët duhet t’i mendojnë, e ministrat t’i analizojnë”.

“E para blerja e energjisë sipas raporteve tregon që KEK-u ka lidhur kontrata të dëmshme dhe se këto kontrata në shumicën e rasteve janë më bazë të dyshimtë korruptive. E dyta ndërlidhet me përfshirjen e personave joformal në menaxhimin e KEK-ut. Kanë dalë në publik komunikimet se në Kosovë vendos një njeri se kur ndalet rryma. Si ka mundësi që dikush as kah KEK-u mos të mundet të kalojë nëse nuk ka librezë të LVV-së. E treta është ndikimi i një individi partiak që ia ka dhënë kryeministri Kurti në KEK. Ju Bordi pse jeni aty?  Pyetje për kryeministrin Kurti: Çka u bë që vetëm ti e anulove gazsjellësin? Pse e anulove projektin e “Contour Globalit”?. E katërta, pse është rritur çmimi i energjisë? E pesta, ju që jeni transparent e llogaridhënës si është e mundur që 105 milionë euro të bëni kontrata njëburimore në KEK. A do të japësh dorëheqje (Kurti) nëse dalin komunikimet e tua të drejtpërdrejta që tregojnë se keni qenë në dijeni për keqmenaxhimin e KEK-ut”- ka theksuar Tahiri.

Seanca e jashtëzakonshme është thirrur me kërkesë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për siç ka thënë kjo parti, për t’i adresuar “skandalet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK)”.

Rezoluta përmban shtatë pika:

  1. Kuvendi i Kosovës kërkon nga organet kompetente që të vazhdojnë hetimet e plota dhe të thelluara për skandalet në KEK, duke përfshirë keq menaxhimin e tenderëve njëburimorë dhe mungesën e konkurrencës në prokurimin publik. Të gjitha shkeljet e konstatuara të ndiqen penalisht.
  2. Kuvendi kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe Bordi i KEK që të raportojnë për kontratat e shitblerjes së energjisë gjatë periudhës 2021-2024, duke përfshirë kushtet e favorshme për palët e treta dhe ndikimin në financat publike. Kuvendi obligon organet përkatëse që të rishikojnë këto kontrata për të mbrojtur interesin publik dhe të ndjekin çdo parregullsi.
  3. Kuvendi kërkon nga autoritetet kompetente të hetojnë ndërhyrjet e personave të paautorizuar në menaxhimin dhe vendimmarrjen në KEK, veçanërisht në lidhje me dhënien e tenderëve, tregtinë e energjisë dhe proceset e punësimit. Të merren masa konkrete për të ndaluar ndërhyrjet e paligjshme dhe për të siguruar një menaxhim transparent dhe të pavarur në KEK.
  4. Kuvendi kërkon një hetim të plotë për rolin e Dejona Mihalit dhe çdo personi tjetër që ka ushtruar ndikim të jashtëligjshëm në menaxhimin e KEK dhe proceset e rekrutimit, duke përfshirë punësimet e jashtëligjshme.
  5. Kuvendi e obligon Bordin e KEK dhe institucionet përgjegjëse për menaxhimin e energjisë që të rrisin transparencën në të gjitha proceset e prokurimit dhe tregtisë se energjisë, duke përfshirë publikimin e kontratave dhe raportimin e detajuar mbi përformancen financiare dhe operacionale.
  6. Kuvendi rekomandon që Qeveria e Kosovës të marrë masa për përmirësimin e qeverisjes ne KEK, duke emëruar një bord të pavarur dhe profesionist, me qellim që të sigurohet funksionimi efikas dhe i përgjegjshëm i ndërmarrjes.
  7. Kuvendi kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe Bordi i KEK që të raportojnë çdo tre muaj për situatën në KEK, përfshirë masat e marra për përmirësimin e menaxhimit, prokurimit dhe transparencës ne ndërmarrje.