Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. 24.04.2023. Foto: KALLXO.com

Në mungesë të kuorumit dështon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka dështuar të mbahet sot për shkak të mungesës së dy nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci dhe Kujtim Shala.

Sipas shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, nënkryetarja Bogujevci është në pushim të lehonisë, ndërsa sipas saj, nga Lidhja Demokratike nuk kanë dhënë ndonjë arsyetim për mungesën e sotme.

Kusari – Lila e ka konsideruar të papranueshme abstenimin e opozitës në seanca plenare e në Kryesi të Kuvendit.

“Arsyetimi që pozita e mban përgjegjësinë tashmë nuk ‘pijen ujë’ sepse rrethanat që karakterizohet puna kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me miratim të projektligjeve dhe votim të raporteve etj. Në vend se të kenë ose të kryejnë punën për të cilën janë zgjedhur ata kanë vendosur ta luajnë rolin e prokurorëve apo hetuesve policor”- ka thënë Kusari – Lila duke iu referuar kërkesave të opozitës për të mbajtur debat parlamentar për arrestimin e kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Përveç Kryesisë së Kuvendit, edhe seancat plenare janë karakterizuar me mungesë të kuorumit që ka shkaktuar edhe grumbullimin e pikave të papërfunduara të rendit të ditës.

Kusari – Lila përveç kritikave ndaj partive opozitare ka thënë se edhe në grupin parlamentar të LVV-së, ekzistojnë defekte.

“Është e vërtetë që janë disa defekte që e karakterizojnë edhe në grupin tonë parlamentar në aspekt të funksionimit apo mbarëvajtjes së seancës dhe po mundohemi ti evitojmë ato”- ka thënë ajo.

Kusari – Lila ka thënë se këtë javë Kuvendi i Kosovës do të mblidhet vetëm për seancë të jashtëzakonshme e cila është thirrur nga opozita.

Javën e kaluar, tri partitë opozitare në Kuvend, PDK, LDK dhe AAK janë larguar nga seanca plenare.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar se kjo parti nuk do të marrë pjesë në punimet e Kuvendit të Kosoës.

“Prej sot gupi parlamentar i LDK-së deklaron se nuk merr pjesë në asnjë votim në seancë, në marrëveshje ndërkombëtare, nuk merr pjesë në votim të komisioneve dhe do të shqyrtojë shumë shpejtë edhe marrjes pjesë në Kryesi sepse është puq institucional kapja e buxhetit të komunave që janë hyra vetanake” – u shpreh ai.