Në mungesë kuorumi dështon miratimi i projektligjit që i hap rrugë rritjes së pagës minimale

Në mungesë të kuorumit Kuvendi nuk ka arritur të miratojë Projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë.

Prej 73 deputetëve të pranishëm në sallë vetëm 56 prej tyre kanë votuar për këtë projektligj.

“Kuvendi nuk pati kuorum për ta votuar këtë ligj, 51 vota ishin për, pesë vota kundër dhe të tjerët nuk kanë votuar”, ka konstatuar Glauk Konjufca.

Konjufca njoftoi se ky projektligj do të hedhet në votim në një seancë kur Kuvendi i Kosovës do të ketë kuorumin e mjaftueshëm për vendimmarrje.

Partitë opozitare kanë deklaruar sot se nuk do të votojnë projektligjin që parasheh të plotësoj dhe ndryshojë disa prej ligjeve ekzistuese në mënyrë që të hapet rrugë për rritjen e pagës minimale.

Këto diskutime u bënë gjatë shqyrtimit të parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Partitë opozitare kanë kërkuar përfshirjen e rritjes së pensionit të veteranëve në këtë projektligj.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë se projektligji shkel disa kategori të ndjeshme siç janë veteranët, teksa ka shtuar se rritja e pagës minimale duhet të bëhet me dialog social.

“Po mundohen që kategoritë më të ndjeshme që kanë kontribut në shtetndërtimin e Kosovës po shkelen dhe po degradohen duke u larguar me këtë ligj, siç janë veteranët, të verbrit, tetraplegjikët dhe paraplegjikët. Ne si parti nuk do të votojmë dhe do të jemi kundër në këtë formë”, ka thënë Lushtaku.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, ka thënë se kjo parti është kundër nenit të projektligjit për pagën minimale, i cili parasheh heqjen e veteranëve nga rritja e pensionit të tyre.

Në fjalën e Qeverisë, ministri i Financave Hekuran Murati ka thënë se shkëputja e pagës minimale nga pagesat për veteranët ka ndodhur në vitin 2017.

“Shkëputja e pagës minimale nga pagesat për veteranët ka ndodhur që në vitin 2017 kur ka hy në fuqi ligji. Ai ligj është miratuar në fund të 2016-ës dhe ka hyrë në fuqi në 2017. Neni 18 i atij ligji është fshirë dhe aty parashihet që të ketë rikategorizimin të veteranëve”, ka thënë Murati.

Murati ka thënë se rritja e pagës minimale ka qenë edhe kërkesë e opozitës qysh nga muaji dhjetor 2021.

“Duke filluar që nga muaji dhjetor ka qenë kërkesë e juaja rritja e pagës minimale. Nëse këtë e keni pasur vetëm sa për pretekst për ta akuzuar qeverinë që nuk po i përmbush premtimet, do të votoni kundër”, ka thënë Murati.

Aktualisht paga minimale në Kosovë është 170 euro për personat mbi 35 vjeç dhe 130 për personat nën 35 vjeç.

Opozita kundër projektligjit për pagën minimale, kërkohet përfshirja e pensionit të veteranëve