Në mungesë kuorumi dështon mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë
Në mungesë kuorumi Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, nuk e ka mbajtur mbledhjen e sotme.
Të pranishëm ishin pesë anëtarë nga gjashtë sa nevojiten për të bërë kuorumin.
Kryetari i Komisionit, deputeti Hajdar Beqa tha se pesë anëtarë të Komisionit ndodhen jashtë shtetit.
“Pesë nga 11 anëtarët e komisionit kanë kërkuar leje që nuk marrin pjesë sepse janë jashtë vendit. Ndërsa nga Lista Serbe nuk kanë njoftuar nëse do të marrin pjesë apo jo” – ka thënë Beqa.
Ai tha se kjo mbledhje shtyhet për ditën e premte në ora 11:00.
“Nëse pajtohen anëtarët tjerë që të kemi ditën e premte dhe të mërkurën në dispozicion të komisionit”-shtoi ai.
Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike, në rend dite të mbledhjes së sotme e ka pasur përzgjedhjen e ekspertëve.
Më 5 maj 2022, me 95 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka themeluar komisionin hetimor që do të ketë objekt hetimi procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë duke filluar nga viti 2006 deri në vitin 2022 në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.