Rritja ekonomike - Foto: REL/Shutterstock

Në muajin shtator, taksa 100% ndali mbi 44 milionë euro mallra nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina

Në muajin që shkoj, Kosova e rriti shkëmbimin tregtar të mallrave nga BE dhe vendet e tjera të lindjes, përderisa importi nga vendet e CEFTA-së gati sa nuk u përgjysmuan. Vetëm në muajin shtator importi nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ra për 44 milionë e 664 mijë euro. Ndikim në këtë rënie pati taksa 100 përqind që iu vendos Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës

Të dhënat e ASK-së për tregtinë e jashtme të mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 0.1 përqind në muajin shtator 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018-të, gjegjësisht në vlerë prej 257.3 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 257.1 milionë euro në vitin 2018-të.

Eksporti mbulon importin me 13.0 përqind

Eksporti dhe importimi Kosovës shënoi rritje në muajin shtator të këtij viti se në muajin e njëjtë të një viti më parë

“Eksporti i mallrave në muajin shtator 2019 kishte vlerën 38.4 milionë Euro, ndërsa importi 295.7 milionë Euro, që është një rritje prej 4.7% për eksport, dhe një rritje prej 0.6% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018”, thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 35.9 përqind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13.0 përqind e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 12.1 përqind e përbëjnë produktet minerale; 9.8 përqind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8.1 përqind e përbëjnë produktet bimore; 5.1 përqind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 3.3 përqind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

Për dallim nga eksportet, në muajin shtator më shumë u importuan produkte minerale, metalet bazë dhe pajisje mekanike dhe elektrike.

“Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14.6% e përbëjnë produktet minerale; 11.8% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.8% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8.4% e përbëjnë mjetet e transportit; 7.3% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.5% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.”, thuhet në komunikatë.

Rritet shkëmbimi i mallrave me vendet e BE-së

Shkëmbimi i mallrave me Bashkimit Evropian shënoi rritje në muajin shtator në raport me

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 12.8 milionë Euro, ose rreth 33.5% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 25.5%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (9.3%), Holanda (4.2%), Danimarka (3.9%), Italia (3.8%), Britania e Madhe (3.6%), etj. ”, bën të ditur njoftimi.

Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 142.3 milionë euro, ose 48.1 përqind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 14.7 përqind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania 12.2 përqind, Italia 6.5 për qind, Greqia 5.2 përqind, Sllovenia 3.9 përqind, Bullgaria 3.3 përqind, etj.

Përgjysmohet importi i mallrave nga vendet e CEFTA-s

Në raportin e ASK-së në muajin shtator 2019, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 16.0 milionë euro, ose 41.8 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 6.3 përqind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria 18.0 përqind, Maqedonia 10.3 përqind, Serbia 6.7 përqind, Mali i Zi 4.8 përqind.

Blerja e mallrave nga vendet e CEFTA-ve gati përgjysmohet në muajin shtator

“Ndërsa, importet e Kosovës nga vendet e CEFTA-s në muajin shtator 2019, arritën në 42.5 milionë Euro, ose 14.4% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-48.2%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia (6.9%), Shqipëria (6.2%), dhe Serbia (0.2 %)”, thotë ASK.

Ajo që vërehet në raportin e ASK-së është rënia drastiket të importeve nga vendet e CEFTA-as, respektivisht nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, ndaj të cilave Qeveria e Kosovës kishte vendosur taksë prej 100 përqind  në vitin e kaluar.

Eksporti i Kosovës drejt tyre ishte në nivel pothuajse të njëjtë. Nga 856 mijë euro mallra drejt Bosnje dhe Hercegovinës në muajin shtator të vitit të kaluar, ra në 755 mijë euro në muajin shtator të sivjetmë. Gjithashtu mallrat e Kosovës drejt Serbisë në vitin 2018-të ishin në vlerën e 2 milionë e 549 mijë euro në muajin shtator 2018-të në 2 milionë e 569 mijë euro në muajin shtator 2019-të.

Në krahasim me eksportet, mallrat e Serbisë drejt Kosovës pësuan një rënie prej 37 milionë e 96 mijë euro. Nga 37 milionë e 588 mijë euro që ishin në muajin shtator 2018-të, para hyrjes në fuqi të taksës, në muajin e njëjtë të këtij vitit u importuan vetëm 492 mijë euro.

Ndërsa, importe që vinin nga Bosnja dhe Hercegovina në muajin shtator 2018-të ishin në vlerën e 7 milionë e 663 mijë euro, në muajin shtator të sivjetmë ranë në 95 mijë euro që para qet një rënie prej 7 milionë e 568 mijë.

Tutje në raportin e ASK-së përmendet se Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 9.4 milionë euro, ose 24.7 përqind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: India 12.4 përqind dhe Zvicra 7.0 përqind.

Mbi 100 milionë euro importe, kryesisht nga Turqia e Kina

“Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 110.8 milionë Euro, ose 37.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13.7%) dhe Kina (8.8%).”, thotë komunikata.

Këto të dhëna u bënë të ditura nga publikimi i raportit lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shtator 2019 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).