Arkiv

Në muajin maj, shtrenjtohet buka e bardhë e lirohet ari i zi

ASK bën të ditur se inflacioni mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit ishte -0.3 përqind në muajin maj 2020 në raport me muajin paraprak, ndërsa në raport me muajin e njëjtë të vitit të kaluar inflacioni ishte 0.2 përqind.

Perimet ishin kontribuueset më të mëdha në rënien e çmimeve në raport me tremujorin paraprak

“Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: perime (-5.9%); energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-0.4%) – (rënie e çmimeve të gazit dhe drunjve për ngrohje); përdorimi i pajisjeve për transportin personal (-2.6%) – (rënie e çmimeve të naftës dhe benzinës), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.4 për qind) në IHÇK“, thuhet ne komunikatë.

Ndërsa, ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra 0.4 përqind; pemë 2.1 përqind; veshje 0.6 përqind; pajisje shtëpiake 1.2 përqind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.1 për qind në IHÇK.

Ndryshimet e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve te disa nëngrupe pa ndonjë ndikim në IHÇK.

Ndërkaq, norma vjetore e inflacionit e matur në muajin maj të sivjetmë me muajin maj 2019 ishte 0.2%.

Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra 1.9 përqind; mish 2.7 përqind; qumësht, djathë dhe vezë 5.9 përqind; vajra dhe yndyrëra 3.5 përqind; pemë 13.3 përqind; sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira 4.7 përqind; produkte të ndryshme ushqimore, kripëra, erëza etj., 3.1 përqind; kafe, çaj dhe kakao 8.0 përqind; ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemë dhe perime 2.6 përqind; pije alkoolike 0.7 përqind; energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera 0.5 përqind – (ngritje e çmimeve të drunjve për ngrohje); pajisje shtëpiake 1.3 përqind mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 1.5 përqind; produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje 5.1 përqind; shërbime ambulatore 7.3 përqind; blerje e automjeteve 1.3 përqind; shërbime hoteliere 2.6 përqind; gjëra personale 4.1 përqind; sigurime 19.3 përqind – (ngritje e çmimeve të sigurimeve të automjeteve), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2.0 për qind në IHÇK.

“Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: perime (-10.5%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (-18.8%) – (rënie e çmimeve të naftës dhe benzinës), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-1.8 për qind) në IHÇK.”, bën të ditur komunikata

Ndryshimet e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve te disa nëngrupe pa ndonjë ndikim në IHÇK.

Këto të dhëna u bënë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin maj 2020.

Tutje, në vitin 2019, në Kosovë, norma mesatare vjetore e inflacionit në vitin 2019 ishte 2.7 përqind duke shënuar ngritje më të lartë nga viti 2012. Në vitin që shkoi rritje të çmimeve pati në bukë e drithëra, mish e qumësht ndërsa pemët dhe shërbimet e transportit shënuan rënie.

Në muajin mars, kur edhe filloi pandemia e virusit “COVID-19”, çmimet e konsumit, e posaçërisht buka, drithërat dhe ushqimet e ëmbla u shtrenjtuan në raport me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.