Mitrovica e Veriut, Foto: REL/RFE
Në Mitrovicë të Veriut pritet të hapet strehimore për viktimat e dhunës në familje
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq kanë nënshkruar kontratën përmes së cilës hapet rrugë për shfrytëzimit të kompleksit të objekteve të ish-Remont në Mitrovicën e Veriut.
Sveçla tha se një objekt të këtij kompleksi, bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe nënkryetaren e Mitrovicës së Veriut, Katarina Adanciq e destinuan për qendër që do të ofrojë përkujdesje dhe strehim për viktimat e dhunës në familje.
“Si institucione të të gjitha niveleve, nuk do të ndalemi në shtimin dhe avansimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët pa dallim” – ka shkruar ministri Sveçla.
Për këtë ngjarje përmes një postimi në Facebook ka folur edhe ministrja Haxhiu.
Sipas saj, në vazhdën e veprimeve institucionale për ngritje të kapaciteteve të reja për shërbime strehimi për viktimat e dhunës u nënshkrua ky memorandum.
Haxhiu tha se mbesin të përkushtuar që shërbimet e strehimit të ofrohen sa më afër viktimës pa dallim.