Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com
Në Mitrovicë të Veriut, Policia e Kosovës mbyll Komunën paralele ilegale të Skenderajt
Policia e Kosovës e ka mbyllur më 16.10.2024 ndërtesën e cila ishte shfrytëzuar ilegalisht nga Serbia si Komunë paralele e Skenderajt.
Ky institucion ilegal serb kishte selinë në Mitrovicë të Veriut.
Kështu ka thënë për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veriu të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.
Elshani ka deklaruar se pas verifikimeve policore në terren, kanë marrë informacion se Komuna paralele e Skenderajt është aktive dhe më pas, në konsultim më prokurorin, kanë hyrë në ndërtesë dhe tashmë e kanë mbyllur.
“Kemi konsultu prokurorin i cili e ka rastin e komunave paralele në veri dhe në koordinim me të kemi hyrë në këtë ndërtesë dhe tashmë e kemi mbyllur”- ka thënë Elshani.
Ndërkaq, KALLXO.com ka raportuar se më 30.08.2024, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Si rrjedhojë, ministri Krasniqi kishte bërë të ditur se cilat komuna paralele nuk do të operojnë më.
“Sot, pas një koordinimi të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës, janë mbyllur institucionet paralele ilegale të Vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit” – kishte shkruar ministri Krasniqi në Facebook më 30.08.2024.
Ministri Krasniqi konfirmon mbylljen e 5 institucioneve paralele në veri të Kosovës