Në Mitrovicë, përkujtohet masakra në treg e vitit 1999
Familjarë të viktimave e martirëve dhe përfaqësues të autoriteteve lokale në Mitrovicë kanë përkujtuar viktimat e masakrës që kishte ndodhur 21 vjet më parë.
Forcat serbe në tregun e mbushur plot njerëz kishin hedhur minahedhës, me ç’rast të vdekur kanë mbetur gjashtë shqiptarë, duke përfshirë fëmijë dhe gra, si dhe janë plagosur 128 të tjerë.
Nënkryetari i komunës së Mitrovicës Faruk Mujka me këtë rast ka thënë se ky është një moment pikëllimi, por edhe falënderimi e krenarie sepse falë gjakut të tyre Kosova ka arrit lirinë.
“Është një moment rrëqethës, pikëllimi e dëshpërimi për bashkëqytetarët por sido që të jetë është një moment kur ne duhet të ndihemi krenarë dhe falënderues sepse falë gjakut të tyre jemi sot ku jemi, duke ndërtuar institucionet tona”, tha Mujka.
Po ashtu Mujka ka theksuar se komuna ka mbajtur premtimin e dhënë vitin e kaluar dhe nga ky vit të vrarë dhe të plagosurit e kanë një obelisk të ri në të cili siç ka thënë Mujka janë përpjekur të ketë formën e tezgave të cilat ata kanë punuar dhe afër të cilave kanë humbur jetën e tyre.
Kurse i mbijetuari i kësaj masakre Azem Beqiri ka kujtuar si kishte ndodhur ngjarja.
“Sot 21 vite më parë isha duke punuar në treg. Afër tezgës time forcat paramilitare serbe kanë hedhur një granatë e cila ka eksploduar, ka qenë marramendëse, duke plagosur dikë më shumë e dikë me pak. Numri i përgjithshëm i të plagosurve ka qenë 128. Unë kam humbur bërrylin dhe sot e asaj dite i vuaj pasojat”, u shpreh Beqiri