Seanca solemne e Kuvendit Komunal të Mitrovicës

Në Mitrovicë mbahet seancë solemne për nder të “Epopesë së UÇK-së”

Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka mbajtur sot seancë solemne kushtuar Epopesë së UÇK-së

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Safet Kamberi, hapi seancën me një minutë heshtje për të përkujtuar të  rënët për lirinë e vendit.

Kamberi duke folur për ushtrinë çlirimtare, ka thënë se sundimi i një robërie të egër ndaj popullit shqiptar të Kosovës, u këput përfundimisht  më 12 qershor 1999.

“Vragonjtë të një shekulli të gjatë të një sundimi e robërie të egër që e përjetoi populli ynë, u këputën përfundimisht më 12 qershor 1999, ditën kur forcat e NATO-s zbarkuan në Kosovë, e luftëtarët e lirisë hynë triumfalisht në qytetet tona. Ushtria Çlirimtare e cila lindi nga gjiri I popullit fitoi sepse bëri luftë të drejtë. Kjo është edhe një dëshmi se armiku sado ushtri të madhe pastë, sado që ka dhe përdorë armët më moderne, më në fund do të humbasë sepse bënë luftë të padrejtë”, ka thënë Kamberi.

Kurse Kryetari iMitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se në këtë ditë po përkujtohen njerëzit më të devotshëm të këtij vendi duke shtuar se njeriu që vdes për liri nuk ka vdekur asnjëherë.

“Kemi ardhur këtu për t’i përkujtuar njerëzit më të devotshëm të këtij vendi, njerëzit të cilët ditën t’i bëjnë ballë forcës agresore të shtetit okupues serb…u kemi borxh gjenerata të tëra që do të vinë pas, sepse falë këtyre burrave e grave, sot jemi të lirë, kemi institucionet tona dhe kemi shtetin tonë. Njeriu që vdes për liri, ai s’ka vdekur asnjëherë…Është rasti i familjes së madhe Jashari, që bëri luftë heroike tetë ditë radhazi”, u shpreh Bahtiri.

Pas seancës, pjesëmarrësit vizituan varrezat e dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës, ndërsa për nder të kësaj epopeje, orët e para mësimore në të gjitha shkollat e kësaj komune u janë kushtuar ngjarjeve që ndërlidhen me epopenë e lavdishme të UÇK-së dhe familjen Jashari.