Në Mitrovicë ka miell me bollëk

Qytetarët e Mitrovicës nuk kanë nevojë për panik sa i përket rezervave të miellit për shkak se pothuajse nëpër të gjitha dyqanet miell ka me bollëk.

Menaxherët e disa prej supermarketeve kryesore në Mitrovicë, duke preferuar të mbesin anonimë, kanë konfirmuar se në dyqanet e tyre ka mjaftueshëm miell.

“Kemi miell me bollëk dhe nuk ka vend për panik. Mund të ndodhë një ditë ose dy të mos kemi, por në vazhdimësi furnizojmë konsumatorët të cilët janë të kënaqur. Aktualisht furnizohemi nga Shqipëria me miell tip 450, dhe çmimi për një thes 25 kilogram është 11 euro”, ka thënë njëri prej menaxherëve në “Emona” për KALLXO.com.

Menaxherja e “ETC”-së po ashtu ka konfirmuar se ka mjaftueshëm miell dhe se janë plotësuar kërkesat e qytetarëve.

“Sot për shembull nuk kemi pasur asnjë konsumator që ka kërkuar miell, sepse konsideroj se i kemi plotësuar kërkesat e qytetarëve deri tani. Kështu besoj do të shkojë edhe në të ardhmen, prandaj nuk ka nevojë për panik”, tha ajo.

Gjithashtu, menaxherja ka sqaruar se çmimet e këtij artikulli janë të njëjta siç kanë qenë para shpërthimit të pandemisë, duke bërë të ditur se një thes me miell 25 kg dhe tip 400 është 9.5 euro, ndonëse tha se kanë prej llojeve të ndryshme të miellit.

Menaxheri i “Interex” ka bërë të ditur se miell ka në sasi të mjaftueshme dhe nuk ka vend për alarm tek qytetarët.

Sipas tij, vetëm gjatë ditës së djeshme janë shitur më shumë se një tonelatë me çmim 11 euro për një thes që peshon 25 kg.

Kurse qytetarët u shprehën të kënaqur me sasinë e mjaftueshme të miellit nëpër dyqane, si dhe me çmimet e arsyeshme.

“Jemi pesë anëtarë të familjes dhe gjatë një muaji shpenzojmë afërsisht 10 kg miell. Mirëpo, kësaj radhe siguruam sasi më të madhe të miellit, përkatësisht 200 kg. Fakti që e ka rritur kërkesën dhe furnizimin për 200 për qind, natyrisht ka shkaktuar rritje të ndjeshmërisë, në kuptimin që është krijuar përshtypja se ka mungesë. Mirëpo jo, sepse miell kishte mjaftueshëm, ndërsa edhe çmimet ishin të njëjta sikur para shfaqjes së pandemisë”, ka thënë për KALLXO.com Mimoza Gashi, duke bërë të ditur se ka paguar gjithsej 88 euro për 200 kg miell.

“Nuk ka hapësirë për panik, miell paska me bollëk. Mora dy thasë nga 25 kg dhe po shoh se edhe të tjerët po marrin. Jam i kënaqur”, theksoi Sokol Shala, qytetar i Mitrovicës.

Ai tha se ka dëgjuar raste kur ndonjë tregtar i pandërgjegjshëm me lëvizje të çmimit apo me fshehjen e produktit, me qëllim që më pas kur t’i plasojë produktet t’i plasojë me çmim të paarsyeshëm, po krijojnë panik te qytetarët.

Andaj, shtoi ai, organet relevante duhet të jenë në terren këto ditë më shumë për të parandaluar veprime të tilla.