
Numërimi i votave për kandidatët për deputetë. Foto: Arjana Berisha/KALLXO.com
Në Mitrovicë nuk ka filluar ende numërimi i votave, shkak Sistemi
Procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Mitrovicë të Jugut nuk ka filluar, si shkak i Sistemit.
Kështu e ka konfirmuar për KALLXO.com, kryetari i Zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë, Bajram Hajdari.
“Arsyeja është puna e Sistemit, që kemi telashe në krejt Kosovën. Dhe, kjo arsye e njëjtë është edhe te ne në Mitrovicë.” – ka thënë Hajdari.
Ai ka potencuar se pasi që të rregullohet, atëherë fillon procesi i numërimit të votave.
“Po presim deri të na japin sinjal, se gjithçka është në rregull. Rregullohet Sistemi, ne fillojmë.” – ka përfunduar kryetari i KKZ-së, Bajram Hajdari.
Ndërsa, dje, më 11.02.2025, ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se më 11.02.2025 ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.
Ai në një Konferencë për media ka thënë se do të verifikohen edhe votat e subjekteve politike.
“Sot KQZ po fillon procesin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë. Në Qendrat Komunale të Numërimit do të bëhet verifikimi i votave të subjekteve politike, nga Formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime, pas numërimit të votave për subjektet politike. Ky verifkim është paraparë me Aktet nënligjore dhe sigurisht se kjo do të heqë të gjitha dilemat që janë krijuar gjatë problemeve në publikimin e rezultateve preliminare.” – deklaroi Elezi, të martën, më 11.02.2025.
Tutje, ai tha se një herë procesi i numërimit ka filluar në Prishtinë, Obiliq, Lipjan dhe Partesh.
“Procesi i numërimit në Qendrat e Komunave të tjera planifikohet të fillojë pasi të bëhen përgatitjet e duhura teknike dhe administrative. Lidhur me numërimin e votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe atyre jashtë Kosovës do të bëhet në një fazë të mëvonshme, pasi të përfundojë numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit.” – ka shtuar ai.
Ai ka shtuar se nuk mund të dihet saktë se sa do të zgjasë procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë.
“Vështirë të parashikohet sa do të zgjasë numërimi i një vendvotimi. Varet nga numri i votuesve në vendvotim. Besojmë që brenda pak dite do të arrijmë ta përmbyllim këtë proces, por pa dashur që të japim ndonjë afat të caktuar.” – shton ai.
Në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 garuan 1280 kandidatë, nga 28 subjekte politike.
Katër partitë më të mëdha në vend, të cilat njëherësh fituan më shumë vota: Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Koalicioni i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)-NISMA-Konservatorët-Intelektualët-Lista Ideal patën nga 110 kandidatë për deputetë.
Ndërsa, Koalicioni për Familjen, parti që nuk e kaloi pragun sipas rezultateve preliminare pati 72 kandidatë për deputetë.
Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse për deputetë. Prej tyre 20 janë të garantuara për komunitetet joshumicë, 10 janë për përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë, ndërkaq 10 ulëse të tjera janë për pakicat e tjera. Ulëset për komunitetet joshumicë në Kosovë janë të garantuara me Kushtetutë.
Përfaqësuesi ligjor i Kompanisë CACTTUS, Arianit Koci thotë se kjo Kompani nuk e ka zhvilluar uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe nuk është përgjegjëse për hostimin, mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e saj nga sulmet eventuale kibernetike.
Sipas tij, Kompania në fjalë është kontraktuar nga OSBE për të zhvilluar Aplikacionin Softuerik për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Ndërsa, siç thotë Koci, ky Aplikacion është i vendosur në infrastrukturën qeveritare e cila menaxhohet nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI).
“Për çështjet që lidhen me sigurinë e infrastrukturës harduerike, sigurinë dhe mbrojtjen e infrastrukturës komunikuese elektronike e të dhënave dhe luftimin e krimit elektronik (cyber crime), si dhe funksionimin e uebfaqes apo aplikacioneve të tjera softuerike brenda infrastrukturës qeveritare, përgjegjësia i takon ASHI, sipas Ligjit Nr. 04/L-145 për Organet Qeveritare për Shoqërinë e Informacionit.” – thuhet në deklaratën e avokatit Koci, të publikuar në Facebook.
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) kishte njoftuar se kanë arritur të tejkalojnë problemin me publikimin e rezultateve preliminare nga procesi i votimit, i zhvilluar më 09.02.2025.
Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), kishte njoftuar më 09.02.2025 se për shkak të dështimit të Sistemit në uebfaqen e këtij institucioni, së bashku me stafin, do të punojnë gjithë natën për të futur të dhënat manualisht në Sistem.