Janjevë: Të bashkuar në varfëri

Në mes të vapës, banorët e Janjevës së Lipjanit nuk kanë ujë të pijshëm

Komuna e Lipjanit këto ditë po krenohet për ndërtimin e “shtigjeve të ecjes” në qytet, mirëpo fshatra rreth saj po përballen me mungesë të ujit të pijshëm.

Nën temperatura të larta që po mbajnë në Kosovë këto ditë, banorët e Janjevës së Lipjanit nuk kanë ujë të pijshëm.

KALLXO.com ka marr raportime rreth shqetësimeve të banorëve për këtë çështje.

Drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Lipjanit, Rasim Hasani ka thënë për KALLXO.com se janë në dijeni për situatën në Janjevë.

“Po, jemi në dijeni që  ka probleme me furnizim me ujë në Janjevë, pikërisht për atë arsye jemi munduar edhe me gjetë dakrodancë edhe me ujëslljesin në mënyrë që t’i shtojmë kapacitetet”, tha ai,

Hasani ka paralajmëruar një projekt me rezervuar shtesë për furnizim me ujë për banorët.

“E kemi edhe një projekt tash veç i kontraktuar, me e ndërtu edhe një rezervuar në Janjevë, në mënyrë që furnizimi të jetë më i mirë. Shpejt besoj do të përfundojë, është në fazën finale projekti. Kanë kaluar të gjitha fazat e vlerësimit të projektit, vetëm nëse nuk është kontraktuar sot, pritet të bëhet këto dy-tri ditë dhe me fillu menjëherë me urgjencë, sepse jemi në dijeni për nevojat e qytetarëve dhe për të pasur ujë të pijshëm”, u shpreh ai.

Për gjendjen në Janjevë ka reaguar edhe Dega e PDK-së në Lipjan, e cila i bërë apel komunës të sigurojë ujin për banorët.

“PDK në Lipjan bënë apel të komuna e Lipjanit që të sigurohet uji për pije për qytetarët e Janjevës dhe fshatrave tjera. Tani tetë vite kur LDK gjegjësisht Imri Ahmeti ka marrë pushtetin në Lipjan dhe nuk ka bërë asnjë investim të vetëm në Janjevë me rrethinë. Tmerri është kur jemi në dekadën e dytë të shekullit 21 dhe qytetarëve iu mungon uji i pijes”, thuhet në një reagim të tyre të publikuar në Facebook.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për mungesën e ujit në Janjevë. Kjo temë ishte trajtuar edhe në Emisionin “Jeta në Komunë” në tetor të vitit të kaluar.

Janjeva njihet si njëri prej vendbanimeve të lashta, i cili përbëhet prej qytetarëve të nacionaliteteve të ndryshme, shqiptarë, romë, serb e kroatë.

Qyteza e dikurshme përballet edhe me migrim të vazhdueshëm të qytetarëve për shkak të kushteve sociale në atë zonë.