Arkiv - Milan Radoiçiq (në mes, pa kravatë), pasi u emërua nënkryetar i Listës Serbe, Foto: Kossev/Balkan Insight

Në mënyrë misterioze Prokuroria Speciale tërheq letër-rreshtimin për Milan Radoiçiqin

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë kërkesë që ta tërheq letër- rreshtimin ndaj njërit nga të kërkuarit për vrasjen e ish- politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, Milan Radoiçiq.

Lajmin e ka konfirmuar gjykatësi Valon Kurtaj për KALLXO.com.

“PRSK (Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës) ka bërë kërkesë për tërheqjen e letër- rreshtimit dhe gjykata duke vepruar sipas kërkesës së saj e ka tërhequr letër- rreshtimin”, tha gjykatësi Kurtaj për KALLXO.com.

Ai shtoi se ky letër- rreshtim është lëshuar dhe tërhequr sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale ndërsa për detaje ka rekomanduar qe t’i drejtohemi Prokurorisë pasi që çështja është konfidenciale për hetimin.

KALLXO.com në lidhje me këtë kërkesë ka kontaktuar edhe Prokurorinë. Të njëjtit nuk kanë pranuar të japin detaje për kërkesën e tërheqjes së letër- rreshtimit ndaj Milan Radojiçiq nën arsyetimin se është çështje e brendshme dhe konfidenciale dhe nuk mund të deklarohen për të.

Në gusht të vitit 2019 Ministria e Drejtësisë kishte lëshuar letër- rreshtim ndaj Milan Radoiçiqit.

Konfirmimin për letër- rreshtimin në vitin 2019 e kishte dhënë edhe ish- ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Milan Radoiçiq ka qenë në kërkim me anë të një letër- rreshtimi në lidhje me vrasjen e ish- politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq. Radoiçiq po dyshohet se ka marrë pjesë në organizimin dhe vrasjen e Ivanoviqit.

Sipas një aktakuze të ngritur  nga Prokuroria Speciale në Kosovë, Milan Radoiçiq dhe një serb tjetër i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, ishin udhëheqësit e një grupi të organizuar kriminal përgjegjës për vdekjen e Oliver Ivanoviqit.

Në fillim të muajit shkurt të këtij viti në Gjykatën e Prishtinës ka filluar procesi gjyqësor në rastin për vrasjen e ish-politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Më 5 shkurt, pritej të mbahej shqyrtimi fillestar, në të cilin të akuzuarit pritet të deklarohen rreth fajësisë, por mediat u lejuan që të marrin pjesë vetëm kur u lexua aktakuza.

Ish- politikani serb i Kosovë, Oliver Ivanoviq, u vra më 6 janar 2018.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale është ngritur ndaj Marko Roshiqit, Silvana Arsoviq, Zharko Jovanoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basaras dhe Dragisha Markoviqit.

Kurse si udhëheqës të grupit kriminal janë të  dyshuar Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq.

Lajmet për vrasjen e Oliver Ivanoviq si dhe të kërkuarin Milan Radoiçiq mund t’i lexoni në këtë link.