Në mbrojtje të ambientit, me peticion

Një grup i organizatave të shoqërisë civile në Kosovë kanë ndërmarrë një iniciative për nënshkrimin e një peticioni qytetar në mbrojtje të ambientit në Kosovë, në një kohë kur disa lumenj të vendit janë vënë në rrezik për shkak të planeve për ndërtimin e hidrocentraleve.

Të martën, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ka nisur nënshkrimi i këtij peticioni me të cilin do të kërkohet që të ndalohet degradimi i ambientit.

Qytetari Blerim Zhdrella, i cili ndër të parët e ka vënë firmën e tij në këtë peticion, tha se është e nevojshme që të gjithë qytetarët ta nënshkruajnë këtë peticion në mënyrë që të mos lejohet degradimi i burimeve ujore në Kosovë.

“Mendoj që është shumë e nevojshme që të gjithë qytetarët të nënshkruajnë këtë peticion që mos të lejohet degradimi i burimeve ujore në Kosovë, mos të ndërtohen hidrocentrale për teke dhe për përfitime personale. Të ndalen degradimet p.sh në Brezovicë dhe Deçan sepse nëse ndërtohen këto hidrocentrale atëherë Kosova do të ketë edhe privatizim të ujit”, tregon ai.

Emisioni “Jeta në Kosovë”, të enjten e kaluar, i ka kushtuar një emision përpjekjeve të banorëve të fshatit Biti e Poshtme të Shtërpcës, shqiptarë e serbë, për ta penguar ndërtimin e një hidrocentrali i cili, sipas banorëve, do të ndikonte negativisht në furnizimin e tyre me ujë të pijshëm dhe në ujitjen e tokave bujqësore.

Jeta në Kosovë diskuton protestën për ujë

Organizatat nismëtare të peticionit kanë thënë se ndërtimi i hidrocentraleve po e dëmton ambientin përderisa një numër i tyre është duke u ndërtuar në zonat në të cilat ndërtimi ndalohet me ligj.

Diana Metushi – Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se peticioni do t’i dërgohet Qeverisë së Kosovës, se më muaj më radhë zëri i qytetarëve kundër shkatërrimit të lumenjve ka rënë në vesh të shurdhër nga Ministria e Mjedisit.

Ajo gjithashtu ka treguar se nënshkrimi i peticionit do të zgjasë 14 ditë dhe do të mund të bëhet në të gjitha qytetet.

“Krizë kryesore në Kosovë janë ujerat, ku Qeveria jonë dhe Ministria e mjedisit po lejon shkatërrimin e lumenjve për përfitimet e tyre personale. Ministria e Mjedisit nuk ka marrë parasysh kërkesat e banorëve dhe ne si shoqëri civile prej 8 organizatave po organizojmë peticionin në mbarë Kosovën, dhe duam t’i bëjmë me dije Qeverisë që nuk është zëri i disa qytetarëve por është zëri i të gjithë popullit sepse sot kemi probleme të mëdha të furnizimit më ujë të pijshëm”, tha Metushi – Krasniqi.

Përveç stendave për nënshkrimin e peticionit në qytetet kryesore si Prishtina, Gjilani, Ferizaj, Prizreni, Gjakova, Peja e Mitrovica, organizatorët kanë planifikuar edhe ekipe mobile të cilat do të udhëtojnë nëpër qytete tjera të Kosovës.

“Kemi bërë një analizë që ndoshta ma shumë mundemi më mbërri sensibilizimin e qytetarëve përmes lëvizjes, kontaktit direkt se sa më një stendë në shesh. Gjatë këtyre dy javëve jemi aktivë në mbarë Kosovën përfshirë edhe veriun e Kosovës. Po shpresoj që kemi me pasë përgjigje prej banorëve që ta mbërrijmë numrin e 10.000 nënshkrimeve. Kisha pasë qejf me besu që i mbërrijmë 50.000 nënshkrimeve, nëse i kemi mbërri 50 mijë nënshkrime për liberalizim të vizave, kjo është për ujë të pijshëm”, tha Diana metushi – Krasniqi.

Remzi Reka nga organizata “Gjethi” ka thënë se kjo organizatë për 3 vjet rresht ka ngritur zërin përmes protestave dhe nuk është ndalë deri sot për ndalimin e këtyre hidrocentraleve.

“Është rast i mirë që një bashkim i Organizatave Joqeveritare që jemi bashkuar t’i kundërvihemi kësaj të keqe apo masakre që po i bëhet mjedisit dhe mos të lejohen së paku ato që janë në plan të ndërtohen. Një sqarim të kërkohet rreth të gjitha lejeve që janë lëshuar pa të drejtë të cilat po përdoren për interesa të veta dhe për ta shkatërruar mjedisin”, thotë Remzi Reka.