Në Marinë të Skenderajt hapet një restorant krahas programit të punësimit të personave me aftësi të kufizuar

Një restorant në fshatin Marinë të Skenderajt është përuruar sot krahas programit të punësimit të personave me aftësi të kufizuar. Sipas Komunës së Skenderajt, ky është projekt ky i përbashkët i bashkëfinancimit mes tyre dhe BE-së.

Kryetari Fadil Nura është shprehur i lumtur që po krijohen mundësi për të rinj që duan punë, nëpërmjet hapjes së biznesit në Marinë, ku do të shërbehet ushqim dhe pije.

“Falë programit të punësimit të personave me aftësi të kufizuara, në kuadër të projektit të përbashkët të bashkëfinancimit mes BE-së dhe Komunës së Skenderajt, implementuar nga Qendra për Vetëpërkrahje, sot në Marinë, është bërë prerja e shiritit të hapjes së lokalit të ri me pronar Nazif Mëziu”, thuhet në komunikatën e postuar në rrjetin social “Facebook”.

Sipas komunikatës së komunës, Valon Ismajli nga Qendra për Vetëpërkrahje, ka folur për projektin të cilin është duke e implementuar organizata që e drejton, duke përmend numrin e personave që janë ndihmuar me hapje të bizneseve në komunën e Skenderajt.

Më tej thuhet se pronari Nazif Mëziu, ka falënderuar për “përkrahje në drejtim të hapjes së biznesit, duke besuar se do të zhvillohet dita-ditës si biznes, për t’ju dhënë mundësi të rinjve të punësohen”.