ILUSTRIM- Xhami në Prishtinë. Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com

Në Maqedoninë e Veriut nesër hapen xhamitë

Me vendim të Bashkësisë Fetare Islame, nesër do të hapen xhamitë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa Myftinia e Shkupit sot ka shpërndarë afishe për besimtarët mysliman se si duhet të sillen në xhami, si duhet të kenë kujdes dhe t’i ndjekin rregullat e vendosura për mbrojtje nga Covid-19.

Sipas rregullores të publikuar nga Myftinia e Shkupit besimtarët, të cilët kanë simptoma të gripit nuk kanë të drejtë të vizitojnë xhaminë, marrja e abdesit të trupit realizohet në shtëpi.

Secili besimtar është i detyruar të marrë sexhade për kryerjen e riteve fetare. Mbajtja e maskave si dhe dezinfektimi i duarve para hyrjes në xhami është e detyrueshme.

Brenda xhamisë do të ketë vende të përcaktuara ku do të mund të kryhen ritet fetare.

Ndalohet përshëndetja dhe grupimi si dhe çdo kontakt tjetër fizik mes vizitorëve në xhami, shkruan TV21./21Media