Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në Maqedoninë e Veriut arrijnë 500 mijë vaksina kineze

Maqedonia e Veriut të dielën ka pranuar 500 mijë doza të vaksinave nga prodhuesi kinez Sinovac.

Kjo është dërgesa më e madhe e vaksinave në këtë vend, që nga fillimi i fushatës së imunizimit të popullatës. Vaksinat do të shpërndahen në të gjitha qytetet e Maqedonisë së Veriut.

Deri të shtunën në këtë vend janë dhënë mbi 510 mijë vaksina ndërsa rreth 214 mijë persona kanë marrë dy dozat e nevojshme. Në pritje për t’u vaksinuar janë mbi 462 mijë qytetarë, që janë paraqitur në sistemin elektronik kombëtar të imunizimit.

Sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë Ivanka Stojanoski, e cila së bashku me ambasadorin kinez, Xhang Suo, kanë dalë për të pritur vaksinat në Aeroportin e Shkupit, tha se me këtë dërgesë do të vaksinohet një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, gjë që do të përshpejtojë procesin e arritjes së imunitetit kolektiv.

“Me procesin e deritanishëm të imunizimit dhe vaksinimit të një numri të madh të qytetarëve, ne po tregojmë rezultate të shkëlqyera në uljen e numrit të të infektuarve me COVID-19 dhe qytetarëve të shtruar në spital, siç dëshmohet nga fakti se të gjitha qendrat COVID në të gjithë vendin nuk kanë asnjë pacient”, ka deklaruar Stojanoski.

Të shtunën në Shkup arritën edhe 100 mijë vaksina të kompanisë Pfizer/BioNTech, në kuadër të mekanizmit COVAX që koordinohet nga Aleanca Globale e Vaksinave (GAVI), Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (CEPI).

COVAX synon të sigurojë një shpërndarje të barabartë të vaksinave në vendet më të varfra të botës.

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut, ka njoftuar se të dielën nuk është regjistruar asnjë viktimë me koronavirus.

Të infektuar brenda 24 orëve janë katër persona ndërsa 11 të tjerë janë shëruar.

Numri i rasteve aktive me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut është ulur në 228.

Numri i qyteteve pa asnjë të infektuar ka arritur në 15 ndërsa shumë qytete tjera kanë më pak se dhjetë të infektuar. REL