Ullishte në Valdanos, Mal i Zi. Foto: BIRN/Samir Kajosevic.

Në Mal të Zi, ullishtet e vjetra iu kthehen pronarëve të ligjshëm

Më shumë se katër dekada pasi u konfiskuan, hektarë të tërë ullishte të lashta në Malin e Zi u janë kthyer pronarëve të tyre të ligjshëm.

Abdullah Dervishi ishte fëmijë kur autoritetet komuniste në Jugosllavinë e atëhershme konfiskuan ullishtën që gjyshi i tij kishte kultivuar dikur, ku prindërit e tij shkonin e luanin para se të freskoheshin në ujërat e Adriatikut.

Familja ishte midis rreth 200 pronarëve të një totali prej 94,000 metrash katrorë pemësh ulliri, disa prej tyre 2,000 vjeçare, që u morën nga shteti në 1978.

Më 11 qershor, 42 vjet më vonë, ligjvënësit malazezë votuan për kthimin e tokës dhe 18,000 pemë ulliri iu kthyen pronarëve të tyre të ligjshëm.

Duke shëtitur mes pemëve të ullirit, me Detin Adriatik në horizont, Dervishi tha se planifikonte të ringjallte traditën e vajit të ullirit të familjes së tij.

“Gjyshi im kishte më shumë se 200 pemë ulliri në Valdanos dhe ai ishte i njohur si një prodhues i respektuar i vajit të ullirit”, tha ai për BIRN. “Unë nuk mund ta arrij kurrë nivelin e tij të prodhimit, por të paktën do të përpiqem ta bëj ullishtën tonë të qëndrueshme.”

Rezervuar: për ushtrinë

Tarraca e braktisur e restorantit të resortit të Ushtrisë Jugosllave në Valdanos, Mal i Zi. Foto: BIRN/Samir Kajosevic.

Në veri të Ulqinit, në skajin jugor të Malit të Zi, pranë Shqipërisë, gjiri i Valdanos ka qenë për shekuj me radhë i njohur për ullishtet dhe vajin e tij.

Por për më shumë se katër dekada, familjes Dervishi dhe të tjerëve iu ndalua të vizitonin pemët e tyre, të cilat u përpinë nga një resort ushtarak jugosllav dhe më pas, me shpërbërjen e Jugosllavisë, i kaluan shtetit malazez.

“Kur autoritetet na morën ullinjtë tanë, gjyshi im u shkatërrua”, tha Dervishi. “Ullinjtë ishin pasuria jonë dhe një burim i rëndësishëm për buxhetin e familjes.”

Autoritetet jugosllave planifikuan të ndërtonin një port ushtarak në vend, por në vitin 1980 vendosën që ta kthenin gjirin në një resort pushimesh për ata që ishin në ushtri dhe familjet e tyre.

U hartuan plane për dy vila private, 29 shtëpi dupleks, fusha kampingu, kamera dhe shtëpi të parafabrikuara në kodra, duke ofruar pamje mbresëlënëse të Gjirit të Valdanos.

Kur u ndërtua, resorti kishte gjithashtu një supermarket, një dyqan ëmbëlsirash dhe një restorant me një pamje panoramike nga gjiri dhe një shkallë në formë spirale që të çonte poshtë në det. Të rezervuar për personelin ushtarak, plazhi dhe kampi ishin të mbyllur për turistët dhe vendasit e tjerë.

“Kur ishin fëmijë, prindërit tanë luanin nëpër ullishte dhe pushonin në plazh”, tha Dervishi. “Papritmas ata nuk mund të hynin më në Valdanos, ndërsa prindërit e tyre ishin të detyruar të shikonin ullishtet e tyre të zhdukeshin. Ishte vërtet një katastrofë për vendasit.”

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, resorti u la të kalbej.

Ndryshimi i pushtetit

Hartë e resortit të ushtrisë në Valdanos. Foto: BIRN/Samir Kajosevic.

Në 2011, pesë vjet pasi Mali i Zi votoi në një referendum për t’i dhënë fund pothuajse një shekulli bashkimi shtetëror me Serbinë, plazhi Valdanos u hap përsëri për vizitorët.

Por ata që kishin dikur në pronësi ullishtet e kishin të ndaluar t’i kultivonin ato. Disa shkuan në gjykatë, duke argumentuar se autoritetet jugosllave kurrë nuk e përdorën tokën për qëllimin e deklaruar në fillim që ishte ndërtimi i një porti ushtarak.

Gjatë dekadës së kaluar, qeveritë e njëpasnjëshme nën udhëheqjen e Partisë Demokratike të Socialistëve dikur në pushtet, DPS, u përpoqën më kot të joshnin investitorë për të ringjallur resostin. DPS kishte premtuar t’i kthente ullishtet si pjesë e një marrëveshje qeverisëse me deputetë shqiptarë etnikë, por nuk e bëri kurrë këtë.

Zgjedhjet e vitit të kaluar i dhanë fund tre dekadave sundim të pandërprerë të DPS, duke sjellë në pushtet një koalicion prej tre blloqesh. Në një votim të iniciuar nga deputetë shqiptarë etnikë, një pjesë e shumicës qeverisëse dhe një pjesë e opozitës bashkuan forcat muajin e kaluar për t’ia kthyer ullishtet pronarëve të tyre origjinal, por pa kompensim për më shumë se katër dekada që ata nuk qenë në gjendje t’i përdornin ato.

Sipas ligjit, pronarët e mëparshëm ose pasardhësit e tyre do të regjistrohen si pronarë brenda gjashtë muajve të ardhshëm.

Kërkohet përtëritje

Omer Barjaktari duke ecur midis pemëve të ullirit në Valdanos. Foto: BIRN/Samir Kajosevic.

Deputeti i opozitës etnike shqiptare Genci Nimanbegu vlerësoi se për përtëritjen e ullishteve do të nevojiteshin më shumë se dy milionë euro. Ai tha se zona duhet të mbrohet nga ndërtimet, por ndoshta të përdoret si një atraksion turistik.

Në disa vende, tha ai për BIRN, “turistët madje paguajnë për të marrë pjesë në mbledhjen e ullinjve. Për vendasit, ai duhet të jetë një destinacion për kultivimin e një ullishteje të bukur dhe asgjë më shumë.”

Aktivisti civil Xhemal Peroviq gjithashtu kërkoi përmbajtje.

“I gjithë kompleksi i Valdanos duhet të ruhet dhe të rivitalizohet me kilometra kalldrëm dhe mure guri, shatërvane të vjetra dhe burime”, tha ai. “Ai duhet të promovohet për turistët dhe të gjithë adhuruesit e natyrës”, tha Peroviq për BIRN, “Por asgjë më shumë se kaq.”

OJQ-të kanë tërhequr vëmendjen për një numër banesash private të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në rajonin e Valdanosit.

Ministria e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit tha se ishte në dijeni të kësaj.

“Po zhvillohen inspektime të përbashkëta të ndërtimit urban së bashku me ministrinë, të gjitha me qëllim parandalimin e ndërtimit të paligjshëm të objekteve”, tha ministria për BIRN.

“Janë kryer procedura administrative për një numër të madh ndërtesash prej druri dhe ministria po ndërmerr të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme për ta mbrojtur këtë zonë.”

Duke ecur midis pemëve të ullinjve, 32-vjeçari Omer Barjaktari tha se parlamenti kishte vënë drejtësi për një nga padrejtësitë më të mëdha të shkaktuara ndonjëherë ndaj banorëve të Ulqinit.

“Babai im më tha se disa familje u larguan nga Ulqini dhe nuk u kthyen më pas shpronësimit”, tha ai për BIRN. “Ata pretenduan se që nga ajo kohë këtij qyteti i ishte marrë shpirti. Tani duhet ta rimarrim atë shpirt.”