Në maj është planifikuar të vijnë në Kosovë disa mjekë të huaj për të kryer disa intervenime kardiokirurgjike te fëmijët

Nga 7 deri më 14 maj, është planifikuar që disa profesionistë të huaj shëndetësorë të vijnë në Kosovë për t’i kryer disa intervenime kardiokirurgjike te fëmijët në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.

Për t’u realizuar kjo është kërkuar që të bëhet licencimi i këtyre profesionistëve shëndetësorë të huaj duke tejkaluar procedurat e përcaktuara me rregullore.

Ky vendim lehtëson edhe procedurat e licencimit të profesionistëve shëndetësore që vijnë nga Lugina e Preshevës.

Ky propozim është miratuar në mbledhjen që po mbahet në Qeverinë e Kosovës.

“Ne kemi nevojë për licencimin e profesionistëve të huaj shëndetësor për qëllime humanitare në SHSKUK, siç është planifikuar për të kryer intervenimet, trajtimet kardiokirurgjike te fëmijët nga 7 deri 14 maj 2022. Kjo është e nevojshme dhe e domosdoshme të bëhet duke tejkaluar procedurat që përcaktohen me rregullore e Qeverisë”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Kabineti qeveritar ka miratuar propozim-vendimin për autorizimin e Ministrit të Shëndetësisë për tejkalimin e procedurave të parapara me rregulloren Nr.09/2011 të Punës së Qeverisë dhe Rregulloren Nr.13/2013 për shërbimin Ligjor Qeveritar për hartimin e Udhëzimin Administrativ për licencimin e profesionistëve të juaj shëndetësorë.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, tha se ky ndryshim dhe tejkalim i procedurave është i nevojshëm, në mënyrë këto shërbime të kryhen në javën e dytë të majit.

Ky ndryshim u miratua unanimisht nga kabineti qeveritar.