Foto: Mediat sociale

Në Liban shpërthejnë edhe radiolidhjet, së paku 14 të vdekur e qindra të plagosur

Nga shpërthimi i radiolidhjeve (walkie-talkie) të mërkurën (18.09.2024) janë vrarë së paku 14 persona dhe mbi 450 persona janë plagosur, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë e Libanit, raporton BBC-ja. Shpërthimet kanë ndodhur në mbarë Libanin.

Shpërthimet vijnë vetëm një ditë pasi nga shpërthimi i “pager”-ëve (pajisje të komunikimit) u vranë 12 persona, përfshirë dy fëmijë, dhe më shumë se tre mijë të tjerë kërkuan ndihmë në spitale për shkak të plagëve.

Burime të shumëfishta thonë se Mossad, agjencia izraelite e spiunazhit, ka shënjestruar luftëtarët e “Hezbollahut” në shpërthimet e së martës. Izraeli ka refuzuar t’i komentojë pretendimet.

Megjithatë, ministri izraelit i Mbrojtjes ka thënë se po “hapim një fazë të re në luftë”, dhe se “qendra e gravitetit po zhvendoset në veri”.

Grupi militant libanez “Hezbollah” përdorte pajisjet e njohura si “pager” pas ndalimit të celularëve më parë gjatë vitit, duke theksuar se ishte e lehtë që celularët të gjurmoheshin.

Më herët gjatë ditës, para shpërthimit të radiolidhjeve në Libanin jugor, gazetarët e BBC-së kanë folur për mjeken Nour El Osta në një spital të Bejrutit, e cila ka përshkruar se çfarë kishte parë në mesin e pacientëve. Ajo ka thënë se pothuajse të gjithë pacientët kishin “lëndime të ngjashme”, duke përshkruar se si “kishte pacientë që kishin humbur gishtërinjtë ose lëndime në sy. Ishte diçka që kurrë nuk e kishim parë më parë”.

“Hezbollah” ka akuzuar Izraelin për sulmet me pajisjet “pager” dhe ka paralajmëruar se do të hakmerret për “agresionin mëkatar”.

Izraeli ende nuk i ka komentuar pretendimet e grupit libanez. “Hezbollahu” ka paralajmëruar “ndëshkim të drejtë” për Izraelin.

Një ekspert municioni i ka thënë BBC-së se pajisjet me gjasë ishin të mbushura me 20 gramë eksploziv të shkallës së lartë ushtarake.

Dhe sikurse raporton BBC, duket se pajisjet pager ishin modele “Gold AR-924”. Por themeluesi i prodhuesit elektronik tajvanez, “Gold Apollo”, ka mohuar se kompania e tij kishte ndonjë lidhje me pajisjet e komunikimit që shpërthyen në Liban.

Themeluesi Hsu Ching-Kuang ka thënë se kompania e tij kishte nënshkruar një kontratë me një kompani evropiane për të prodhuar pajisjet dhe për përdorimin e emrit të kompanisë së tij. Ai ka thënë se para tri vitesh kishte arritur marrëveshje me kompaninë BAC në Europë, duke ia dhënë të drejtën e dizajnit dhe përdorimit të logos së kompanisë. “Gold Apollo” njofton se BAC tani është me bazë në Budapest, në Hungari./BBC

Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com