Foto: Mediat sociale

Në Liban asnjë pajisje më nuk konsiderohet e sigurt

Në kohën kur turma ishte mbledhur të mërkurën (18.09.2024) për të nderuar kujtimin për ata që ishin vrarë në valën e parë të pajisjeve-bomba, një shpërthim shkaktoi kaos në Dahiyeh, bastion i fuqishëm i “Hezbollahut” në jug të Bejrutit, raporton BBC.

Një xhirim i momentit të shpërthimit tregon një burrë të shtrirë përtokë dhe të tjerë përreth në panik, shumë prej të cilëve duke bërtitur dhe ikur.

Krejt kjo ndodhi para se të fillonte varrimi i një 11-vjeçari dhe i tre anëtarëve të “Hezbollahut” të vrarë një ditë më parë.

Në rrethinë ka pasur një seri shpërthime që janë dëgjuar edhe në rrugë. Britmat u ndalën, dhe njerëzit nisën ta shikonin njëri-tjetrit, të habitur se çfarë po ndodhte.

Derisa raportet po shpërndaheshin se kjo ishte një valë e dytë e shpërthimeve që kishin cak radiolidhjet, asnjë pajisje elektronike më nuk është konsideruar e sigurt.

Mbështetësit e “Hebzollahut” kanë ndalur disa herë ekipin e BBC-së, duke kërkuar që të mos përdornin celularët dhe kamerat televizive.

Zyrtarët libanezë kanë thënë se së paku 20 persona janë vrarë dhe se 450 të tjerë janë plagosur në mbarë vendin, me zjarre që kanë shpërthyer në disa shtëpi, dyqane e makina.

Sulmet e fundit po shihen si poshtërimi i fundit për grupin me mbështetje iraniane dhe tregues i mundshëm se krejt rrjeti i komunikimit mund të jetë i infiltruar prej Izraelit.

Dhe shumë njerëz në Liban tashmë janë në dilema se çfarë do të sjellë e ardhmja.

Ky është një vend që trashmë është tronditur dhe zemëruar me atë çfarë ndodhi këto ditë, kur mijëra pajisje komunikimi, të njohura si “pagerë”, shpërthyen në një sulm të sinkronizuar. Ishin pajisje që përdoreshin për komunikim me mesazhe prej anëtarëve të “Hebzollahut”.

Pajisjet shpërthyen gjatë kohës sa njerëzit ishin në dyqane, ose me familjet e tyre në shtëpi, duke vrarë 12 persona të mërkurën, përfshirë një tetëvjeçare dhe një 11-vjeçar. Raportohet për 2.800 të lënduar e të plagosur.

“Hezbollahu” akuzon Izraelin për sulmet me pajisjet që ikshin prodhuar nga një kompani me seli në Hungari.

Raportet sugjerojnë se dërgesa e “pagerëve” mund të jetë kurdisur me eksplozivë para se të shpërtheheshin nga distanca.

“Hezbollahu” i përdorte këto pajisje pas shqetësimeve se celularët që po përdoreshin kontrolloheshin prej agjencive civile dhe ushtarake të inteligjencës së Izraelit për t’i gjurmuar militantët e grupit. Ende askush nuk ka marrë përgjegjësinë, por ministri izraelit i Mbrojtjes paralajmëroi se do të ketë “një fazë të re të luftës”, duke ngritur dyshime në mesin e zyrtarëve libanezë se sulmet u kryen nga inteligjenca izraelite. “Hezbollahu” ka paralajmëruar “ndëshkim meritor” për Izraelin, derisa bashkësia ndërkombëtare i druan përshkallëzimit të luftës në Gazë në një konflikt të madh rajonale në Lindjen e Mesme të trazuar.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com