Kuvendi i Kosovës - Arkiv

Në Kuvend raportohet për gjendjen e mjedisit gjatë vitit 2020

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka prezantuar raportin vjetor për  gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2020.

Sipas raportit, cilësia e ajrit gjatë vitit 2020 disa herë ka tejkaluar vlerat e lejuara duke shtuar se kjo gjendje ka qenë më e pranishme gjatë sezonit të dimrit.

Ministri ka theksuar se Kosova gjatë vitit të kaluar është ballafaquar edhe me deponi të shumëta ilegale në tërë vendin.

“Vendi vazhdon të ballafaqohet me menaxhimin e mbeturinave. Sipas raportit, për kokë banori vlera e krijimit të mbeturinave është 230 kilogramë, e pjesa më e madhe e tyre deponohen në deponi sanitare. Gjatë vitit 2020 ka pasur një gjenerim më të madh të mbeturinave mjëkësore për shkak të pandemisë së COVID-19”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, kërkoi nga kolegët e tij  të bëjnë më shumë për përmirësimin e gjendjes së mjedisit dhe të marrin më seriozisht këtë temë.

“Raporti paraqet gjendjen reale në Kosovë dhe tregon se gjendja nuk është e mirë. Raporti evidenton problemet kryesore edhe përmirësimet aty ku ka pasur. Unë vlerësoj se ky raport është një thirrje që të marrim më seriozisht gjendjen e mjedisit dhe të diskutojmë se si ne si Kuvend mund të ndihmojmë për përmirësimin e gjendjes së mjedisit”, tha ai.