Peticioni për Trustin në Kuvend, 15 korrik 2022 - Foto: KALLXO.com

Në Kuvend dorëzohet peticioni me nënshkrimet për riprocedim të Projektligjit për Trustin

Në Kuvendin e Kosovës sot janë dorëzuar nënshkrimet e peticionit për nismën legjislative qytetare për Projektligjin për Trustin.

Njëri nga organizatorët, Adnan Jashari ka dorëzuar peticionin.

Afër tij është parë edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili ka qenë iniciues i Projektligjit që do të mundësonte tërheqjen e parave nga Trusti nga ana e qytetarëve.

Inicuesit kishin njoftuar se nga ora 13:00 do të takohen me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, të cilit do t’ia dorëzojnë formën e Projektligjit të Trustit për riprocedim në Kuvend.

Projektligji për Trustin, përmes të cilit kërkohet që qytetarëve t’u mundësohet të tërheqin 30 për qind të kursimeve pensionale, ka dështuar të votohet më 23 qershor.

44 vota të partive opozitare ishin pro këtij Projektligji derisa 57 deputetë të pozitës kanë votuar kundër. Vetëm një ka abstenuar.

Projektligji për tërheqjen e kursimeve nga Trusti Pensional të Kosovës ishte iniciuar nga PDK-ja derisa ishte përkrahur nga partitë e tjera opozitare. Ndërkaq, LVV, ka dalë kundër.

Peticioni për Trustin në Kuvend, 15 korrik 2022 – Foto: KALLXO.com