Foto: KALLXO.com

Në Kushtetuese mbahet seanca në rastin e ish-punonjësit ndaj “ProCredit Bank”-ës

Në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës sot është mbajtur seanca dëgjimore rreth kërkesës së Valon Loxhajt për ta shpallur të pavlefshëm aktgjykimin e Gjykatës Supreme të datës 30.03.2022.

Loxhaj po pretendon se me atë aktgjykim i janë shkelur të drejtat e tij kushtetuese që kanë të bëjnë me gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si dhe të drejtën për njohje të efektit juridik, të garantuara me Kushtetutë.

Palët sot patën mundësi t’i paraqesin argumentet dhe kundërargumentet në seancën e kryesuar nga kryetarja e trupit gjykues, Gresa Caka-Nimani.

Valon Loxhaj pretendon se në shtator të vitit 2010 nga “ProCredit Bank” i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës në mënyrë të kundërligjshme. Këtë kundërligjshmëri e kishte konstatuar Gjykata Themelore e Prishtinës.

“ProCredit Bank” ishte obliguar nga kjo Gjykatë që ta kthejë Loxhajn në vendin e punës dhe t’ia kompensojë shumën prej 18.724.69 eurosh, kurse deri në kthimin në punë t’i paguhet shuma prej 850 eurosh në muaj.

Më 3.10.2016 paditësi Valon Loxhaj ishte kthyer në vendin e tij të punës, por, siç u shpreh sot në seancë “me një pagë jopropocionale dhe me një trajtim as njerëzor, le më sipas rregullave të marrëdhënies së punë”.

“Presioni psikologjik që e ka përjetuar me rastin e rikthimit në punë dhe trajtimi i pabarabartë ishte arsyeja që Valon Loxhaj e ndërpreu punën njëanshmërisht në vitin 2021” – ka thënë mbrojtësi i tij, avokati Isa Salihi.

Kurse, lidhur me obligimin e kompensimit pala e paditur kishte parashtruar ankesë pas të cilës çështja ishte kthyer në rivendosje, me ç’rast për periudhën 1.9.2012 deri më 30.9.2016 ishte caktuar shuma për kompensim prej 41.678.00 eurosh, kurse Gjykata e Apelit e ka zbritur këtë shumë në 20.839.00 euro. Sipas paditësit, Apeli nuk i ka marrë parasysh ankesat e tij.

Pretendimet e paditësit u kundërshtuan nga mbrojtësi i “ProCredit Bank”, avokati Kujtim Kërveshi.

I njëjti u shpreh se në objektin e kërkesës nuk gjendet asnjë çështje e diskriminimit të pretenduar, dhe se paditësi ka tentuar të zgjerojë petitumin, duke kërkuar në mënyrë kumulative edhe rikthimin në punë, por edhe dyfishin e pagës.

Palët u udhëzuan që në rast se kanë dokumente shtesë për t’i paraqitur Gjykatës, atëherë një gjë të tillë duhet ta bëjnë brenda afatit kohor prej 10 ditësh.

Trupi gjykues u tërhoq për pjesën tjetër të procedurës – atë të këshillimit dhe votimit lidhur me çështjen, dhe me rastin e publikimit të vendosjes nga Gjykata, i njëjti do të publikohet.